Frustrimet e Presidentit të Serbisë 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 08.07.2022 09:10 08.07.2022 09:10 Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić, ditë më parë paralajmëroi që me 1 tetor Qeveria e Kosovës do të nisë Operacionin ‘Stuhia’ (‘Oluja’, në serbisht), në Veri të Kosovës. Ky pohim dramatik i liderit serb, u ndërlidh me Udhëzimin Administrativ të Qeverisë së Kosovës, përmes të të cilit deri me 30 shtator, do të mund të bëhet zëvëndësimi i targave ilegale serbe në territorin e Kosovës, me ato legale, RKS. Ky Udhëzim, siç dihet, është pasojë e dështimit të bisedimeve në Bruksel, ku në harkun kohor tetor (2021), prill (2022), pala serbe nuk pati vullnet për ta gjetur një zgjidhje afatgjatë për çështjen e targave/ lirisë së qarkullimit. Presidenti i Serbisë, në fjalën e tij publike, përmendi ‘Stuhinë’ si koncept ushtarak dhe politik, që ka të bëjë me Operacionin e njohur të Forcave ushtarake dhe policore të Kroacisë, në muajin gusht të vitit 1995. Dihet çfarë ndodhi atëherë. Por nuk është hera e parë (e me gjasë, as e fundit) që Aleksandar Vučić, synon t’i tmerrojë qytetarët serbë të Veriut të Kosovës, dhe të alarmojë Washingtonin, Brukselin dhe kryeqendrat e tjera perëndimore, me nocionin e ’Stuhisë’. Lideri serb, i cili është zatën i njohur me paraqitjet e tij dramatike për të gjitha temat e mundshme politike dhe ekonomike, në këtë mënyrë, para se të gjithash, dëshiron të sigurojë një lojalitet apo edhe nënshtrim të plotë të serbëve që jetojnë në Veri të Kosovës. Ky lojalitet është karta kryesore negociatore e Presidentit të Serbisë në bisedimet e Brukselit. Dobësimi i saj, do të sjellte automatikisht edhe dobësimin e pozicionit të Vučić-it në këto bisedime. Për këtë shkak, Aleksandar Vučić është vazhdimisht kundërshtues i çdo zhvillimi politik në Kosovë që do të kishte domethënien e thellimit të integrimit të serbëve të Veriut në institucionet e Kosovës, edhe në këtë mënyrë pra, përmes marrjes së targave të veturave RKS. Nënshtrimi i qytetarëve serbë të Veriut të Kosovës, synohen të arrihet në disa mënyra: Përmes strukturave paralele, përmes pagave (fuqisë së butë, si thuhet), më në fund, edhe përmes prodhimin konstant të frikës, mbi një kërcënim të imagjinuar të Presidentit të Serbisë, siç është edhe ky rasti i mbramë, me Kodin ’Stihia’ të kataklizmës për serbët në Veri të Kosovës. Shkurt, Aleksandar Vučić ju drejtohet serbëve në Veri të Kosovës (por realisht, edhe në pjesët e tjera të vendit), në këtë mënyrë: ’Ose do të më dëgjoni mua, ose do të ju fshijnë shqiptarët përpara dhe do të ju dëbojnë në Serbi’. Një qëndrim i këtillë i liderit serb, pos që nuk ka të bëjë gjë me të vërtetën, realisht, ka një lexim krejt ndryshe tani, prej atij të para gjashtë muajve, apo para një viti. Nuk ka domethënie të njejtë kjo deklaratë e Vučić-it tani, çfarë ka pasur më parë. Evropa është në luftë që nga 24 shkurti i këtij viti, kur Forcat ushtarake ruse invaduan Ukrainën. E gjithë Evropa ka hyrë në një tranzicion gjeo-politik dhe ekonomik, i cili do të zgjasë me vite të tëra (në mos edhe më shumë), edhe pasi që të përfundojë lufta në Ukrainë. Në këto rrethana të reja pra, kur edhe Ballkani Perëndimor është një fushëbetejë e rrezikshme e sigurisë në mes të Perëndimit dhe Rusisë, dhënia e këtyre deklaratave nga Presidenti i Serbisë Aleksandar Vučić, është një kontribut i drejtpërdrejtë në krijimin e rrethanave problematike politike dhe të sigurisë, në javët dhe muajtë kur do të duhej të ndodhte e kundërta. Presidenti i Serbisë, në anën tjetër, si asnjëherë më parë, në këto prononcimet për media pas shpalljes së Vendimit për targa nga Qeveria e Kosovësë, ka sulmuar shtetet kryesore të Perëndimit për politikën e tyre ndaj Serbisë, dhe për përkrahjen që po ia dhënë Kosovës në rastin e targave të veturave/ lirisë së qarkullimit. ’Jam shfryrë mirë’, shtoi Aleksandar Vučić me këtë rast. Kjo sjellje e Presidentit të Serbisë dhe deklaratat e këtij lloji, në të vërtetë, shfaqin pafuqinë dhe frustrimet e mëdha të tij me pozicionin gjithnjë e më të ndërlikuar (dhe më të dobësuar) të Serbisë në raport me SHBA-në dhe Perëndimin. Realisht, Vučić e di që nuk ka tjetër zgjedhje (dhe tjetër zgjidhje), për Serbinë pos anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Në anën tjetër, përkrahja tek qytetarët serbë, për inkuadrimin në BE ka ra në nivelet më të ulëta, apo vetëm një e treta e tyre dëshiron anëtarësimin e Serbisë në BE. Faji për këtë rënie të popullaritetit të BE-së në Serbi është në masë të madhe i vet liderit serb, i cili në ndërkohë ka punuar ditë dhe natë për shtimin e popullaritetit të Rusisë dhe të Vladimir Putinit tek serbët. Por Serbia nuk synon bashkimin me Rusinë, por me BE-në. Sipas vet Vučić-it. Kjo situatë absurde, e cila njeh autorësinë e plotë të Aleksandar Vučić-it, do të shtojë përditë e më shumë frustrimet e Presidentit serb, i cili herët a vonë, duhet t’i merr vendimet finale për raportet e tij me Rusinë, me BE-në, me Kosovën. Nuk ka tjetër. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.