Ëndrra e pavërtetë e Edi Ramës dhe një qokë për Vuçiçin… 123 string(11) "Artur Zheji" string(66) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2018/07/Artur-Zheji-1.jpg" nga Artur Zheji 23.02.2018 17:01 23.02.2018 17:01 Na tha që po ëndërronte për pas 10 vitesh. Me syçkat gjysëm mbyllur dhe me vështrimin tretur në horizontin e kohërave, si gjysëm parashikonjës dhe si gjysëm shkrimtar romanesh historikë. Duke pranuar ëndërrimin, kur kërkoi nëpër tym, në bashin e Kuvendit të Kosovës dhe në kulmin e vëmendjes ndërkombëtarëve, të miqve dhe të jomiqve të Kosovës dhe të shqiptarëve, “një president të përbashkët në emër të unitetit kombëtar”, kryeministri pranoi djallëzisht, sikur sapo kish bërë një lajthitje të padjallëzishme. Them e shkruaj se pranoi djallëzisht, që gjoja kish lajthitur në ëndërrim e sipër, me shumë keqardhje, sepse nuk do të doja kurrsesi të pranoja, me zemër të lehtësuar, që kryeministri i vendit tim të luajë më çështje kaq madhore, si një politikan i llastuar që i lejohet të thyejë çdo kristal të shtrenjtë të vlerave tona kombëtare. Ay, kryeministri, e dinte dhe e priste reagimin që pasoi. E dinte dhe e priste që pas kësaj, Vuçiq do të rrëmbente nga Prishtina si një simite me gjalpë, qokën e ngrohtë të Ramës dhe do të bënte zhurmën e vet, duke forcuar pozitat e veta presidenciale. Priste edhe sulmin nga Beogradi, që do ta vendoste Ramën e “padjallëzuar” në qendrën e dashur të vëmendjes së humbur, përsëri e me çdo çmim, në Prishtinë, në Tiranë dhe në Athinë. Thuhet se një nga këshilltarët e huaj të kryeministrit tonë është edhe këshilltar i partnerit serb të shkrirjes së akujve, Vuçiq. Të jetë kjo deklaratë këshillë e tij? Për të rritur respektivisht popullaritetin lokal të klientëve të tij, njeri president në Beograd dhe tjetri kryeministër në Tiranë? Logjika ta do që po. Këshilltarët janë të djallëzuar dhe përllogarisin pasojën e duhur të shkakut që shpërthen si kapsollë verbale… Çfarë na rrëfen kjo? Asgjë më tepër nga sa dimë: Varfëri idesh, hapësirë e ngushtë loje politike për shkak të dështimeve ekonomike dhe tunelit të zymtë të mosinvestimeve të huaja që sa vjen e zgjatet. Të grafikut të tmerrshëm të Bankës Botërore, që e nxjerr Shqipërinë, Hirushen më të varfër të Ballkanit, me mbi 32% të popullit të vet që jeton nën minimumin jetik të 5 dollarë në ditë. Për të fshehur, pra, bythën e dalë sheshit prej pantallonave të çjerra në gremisjen e të ardhurave, në papunësinë e thellë, në karvanin e gjatë braktisës që shqiptarët kanë krijuar për t’i kthyer krahët Mëmëdheut gjinjëtharë dhe të zhvatur në çdo qelizë, nga korrupsioni galopant. Prandaj nuk e besoj asfare që kryeminsitri ka ëndëruar për një Bashkim Kombëtar. Kryeministrit i lypset vetëm zhurmë për të mos u dëgjuar kujet dhe vajtimet e mjeranëve që ikin, që gulçojnë, që dhunohen dhe shpërfillen nga stili i jetës së oligarkëve të rregjimit, apo të oligarkëve të të gjitha rregjimeve që klloçisin vezë të arta nëpër ministritë e qeverive që vijnë dhe që do të vijnë… *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.