Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Dy thyerjet e mëdha evropiane

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 05.12.2025 11:09

Akomodimi dhe përshtatja me ndryshimet e mëdha në Rendin ndërkombëtar është një domosdoshmëri për popujt dhe vendet e vogla, apo për ato shtete të cilat akoma nuk janë pjesë e sistemeve kolektive politike, ekonomike dhe ushtarake.

Kur je pjesë e tyre, natyrisht, imuniteti i yt  (si shtet) ndaj këtyre ndryshimeve, të cilat rëndom janë largëvajtëse, problematike dhe madje, të rrezikshme, është reflektim i një imuniteti të përbashkët.

E jotja është që si shtet vetëm t’i përmbahesh rregullave të lojës brenda atij kampi që ka mbledhur të gjitha shtetet që janë pjesë e tij.

Dy herë në 36 vitet e fundit ka pasur lëvizje të mëdha tektonike në Evropë  (dhe në Botë, realisht).

Dhe te dy rastet kishin të bëjnë me raportet e Perëndimit me Lindjen, ky Moska  (si Bashkim Sovjetik dhe si Rusi), është krye protagonist.

Herën e parë, një përplasje e gjatë gati gjysmë shekulli në mes të SHBA-së dhe Bashkimit Sovjetik, e klasifikuar si ‘Lufta e Ftohtë’, përfundoi në paqe, pas rrënimit përbrenda të Bllokut komunist.

Ishte kjo një befasi e rendit të parë.

Kush nuk e kishte paramenduar një epilog të tillë të ‘Luftës së Ftohtë’, e cila në vete bartte edhe mundësinë reale të një katastrofe nukleare dhe të zhdukjes së jetës në Tokë.

Herën e dytë, ndodhi një tjetër befasi, e cila po aq si e para, nuk gjeti veten në asnjërin prej skenarëve të zhvillimeve të mundshme në mes të Perëndimit dhe Rusisë: Plasi lufta tamam në mes të Rusisë dhe Ukrainës, në trajtën që ishte harruar me pranverën e vitit 1945, me bindjen  (e asokohshme), që lufta të tilla nuk do të ketë më në Evropë.

Kjo bindje, zaten, u verifikua më 1975 në Helsinki, në Samitin e parë të KSBE-së.

Por ja që Rusia e Vladimir Putinit nuk bëri hesap asgjë çfarë kishte ndodhur në Evropë në Shekullin XX, dhe ia mësyu me modelet e Shekullit XIX t’i rregullojë hesapet e këtij Shekulli.

Megjithatë, marrëdhëniet e Perëndimit me Lindjen definohen, realisht, më pak nga ky konflikt politik  (dhe jo vetëm politik), i tij me Rusinë, se sa me atë paqen e brishtë në mes të Perëndimit dhe Kinës.

Kjo dihet.

Por, nëse këtu i kthehemi kryefjalës së parë të këtij shkrimi, nuk do të jetë aspak e vështirë që pozicionin e tashëm të Kosovës dhe Shqipërisë në rajon, apo, në Ballkanin Perëndimor, t’ia atribuojmë aftësisë së shqiptarëve në Kosovë dhe në Shqipëri, për ta zënë fillin me kohë të ndryshimeve të mëdha në Evropë dhe në Botë, dhe për ta kërkuar fatin e tyre brenda rrethanave fare të reja ndërkombëtare.

Si Kosova, ashtu edhe Shqipëria, para thyerjes së madhe historike të vitit 1989  (të kumtuar me rrënimin e Murit të Berlinit), ishin, nëse mund të thuhet ashtu, në fund të pusit.

Kosova kishte mbetur pa asgjë, kur flitet për mekanizmat e pushtetit në atë shtetin e përbashkët  (të RSFJ-së), dhe dukej që shqiptarët i pret një rrugë shumë e gjatë e këndelljes dhe mëkëmbjes politike, me një epilog fare të panjohur për gjenerata të tëra.

Shqipëria ishte një shtet i harruar i Evropës. Kush nuk mërzitej dhe nuk merrej me te. Për më shumë, dukej që këtu nuk do të ketë kurrfarë lëvizjesh për të mirë në të ardhmen, apo që rrëmuja e madhe evropiane do ta anashkalojë atë.

Por ja që ndryshimet dramatike evropiane hapën udhë për Kosovën dhe Shqipërinë, për ta kaluar ato një histori që rëndom zgjatë disa shekuj  (kështu ka qenë edhe me shtetet dhe popujt e mëdhenj evropian), për disa decenie.

Kjo ishte një mrekulli e madhe për të cilën duket se sot e kësaj dite nuk jemi të vetëdijshëm.

Sa pak duhet në histori për të humbur shumë, apo për të fituar po aq.

Te dy këto gjendje  (skajnore), ne i kemi provuar në njëqind vitet e fundit, si këtu në Kosovë, ashtu edhe atje, në Shqipëri.

Në të vërtetë, në këtë aspekt nuk ka më Këtu dhe Atje.

Natyrisht, kur ndodhi, para tri vjet e gjysmë, thyerja e dytë e madhe në Evropë, pas fillimit të agresionit të Rusisë mbi Ukrainën, ne tashmë ishim të akomoduar si duhet, për dallim prej disa shteteve në rajon, para se të gjithash Serbisë.

 

 

lajme të ngjashme