Kandidati i PDK-së në Dragash: E pranojmë rezultatin – qëndrojmë krenarë në opozitë NULL NULL 15.12.2021 17:41 15.12.2021 17:41 Kandidati i PDK-së për kryetar të Dragashit, Shaban Shabani, ka thënë se e pranojnë rezultatin e dalë pas numërimit të votave nga diaspora, të cilat nxjerrin fitues Bexhet Xheladinin e LDK-së. “Këtë rezultat e pranojmë, duke e respektuar kështu, vullnetin e shumicës së qytetarëve si themel i demokracisë, i cili nxjerr fitues kundërkandidatin tim z. Xheladini, të cilin e uroj për zgjedhjen në krye të komunës për mandatin e ri”, është shprehur Shabani, transmeton Klankosova.tv. “Pavarësisht që vullneti i shumicës së qytetarëve që kanë votuar në komunën tonë ishte i mjaftueshëm për të nxjerrë Partinë Demokratike të Kosovës si parti fituese përballë dy subjekteve të tjera opozitare, sidoqoftë, votat e diasporës qartazi janë shprehur në favor të mbështetjes së opozitës së deritanishme”. Shabani ka thënë se PDK-ja në Dragash do të qëndrojë krenare në opozitë. “Do të qëndrojmë krenarë në opozitë dhe nuk do të mjaftohemi për të kritikuar eventualisht për punët dhe mospunët e ekzekutivit të ri, por duke qenë subjekt me traditë të gjatë institucionale, ne fuqishëm do të ofrojmë edhe alternativën tonë qeverisëse opozitare për ta rikthyer PDK-në në vendin e saj të merituar”, ka thënë ai, ndër të tjera.