Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Aktakuza ndaj ish-kryeshefit të KRM “Pastrimi”, më herët ishte shkarkuar për keqmenaxhim dhe shkelje

NULL NULL
19.06.2026 14:36

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj Burim Kelmendit, ish-Kryeshefit Ekzekutiv të Kompanisë Rajonale të Mbeturinave “Pastrimi”, nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Sipas Prokurorisë, Kelmendi gjatë viteve 2020 dhe 2021 dyshohet se ka tejkaluar kompetencat e tij duke mos respektuar procedurat ligjore të punësimit. Ai akuzohet se ka nënshkruar 89 kontrata pune pa konkurs publik, duke përfshirë pozita të rregullta pune përmes kontratave me afat të caktuar, transmeton Klankosova.tv.

Po ashtu, ndaj tij pretendohet se janë nxjerrë vendime për avancimin e të punësuarve pa respektuar procedurat përkatëse. Sipas aktakuzës, këto veprime i kanë shkaktuar dëm kompanisë në vlerë prej 114,535.06 euro.

Shkarkimi i Kelmendit në vitin 2022: Bordi përmendi mbipunësim dhe devijime nga plani i biznesit

Shkarkimi i Kelmendit nga pozita e Kryeshefit Ekzekutiv ishte bërë në vitin 2022 nga Bordi i Drejtorëve të KRM “Pastrimi”. Në njoftimin e publikuar në korrik të vitit 2022, Bordi kishte deklaruar se vendimi ishte marrë për shkak të mosrealizimit të objektivave të kompanisë, keqmenaxhimit, devijimeve nga Plani i Biznesit dhe mbipunësimit.

Bordi kishte theksuar gjithashtu se kishte pasur pretendime për “nepotizëm” dhe shkelje të kompetencave, duke u thirrur edhe në gjetje të një raporti të auditorit të jashtëm.

“Është vërtetuar se ka pasur devijime ekstreme nga parashikimet e Planit të Biznesit, ka pasur mbipunësim të paarsyeshëm dhe në kundërshtim me fuqinë ekonomike të kompanisë, si dhe është praktikuar edhe nepotizëm”.

“Kjo është konstatuar edhe në gjetjet e Zyres së Auditorit të jashtëm, e cila ka gjetur shumë shkelje të rënda për kompaninë, si pasojë e marrjes së vendimeve përtej kompetencave të Kryeshefit Ekzekutiv, pa aprovim nga Bordi i Drejtorëve. Vendimi për shkarkimin nga pozita e Kryeshefit Ekzekutiv, z. Burim Kelmendit, hyn në fuqi sot, me datë 08.07.2022”, ishte shkruar në njoftimin e Bordit të KRM “Pastrimi” .

Shkarkohet Burim Kelmendi nga pozita e Kryeshefit Ekzekutiv të “Pastrimit” (VIDEO)

Ndërkohë, Prokuroria ka ngritur aktakuzë edhe ndaj një personi tjetër, N.Rr., i cili dyshohet për ushtrim ndikimi, duke kërkuar dhe marrë 1,500 euro nga persona të ndryshëm me premtimin se do të ndikonte në punësimin e tyre në kompani.

Prokurori i rastit i ka propozuar gjykatës që, pas shqyrtimit dhe administrimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit. /Klankosova.tv

Aktakuzë ndaj ish-kryeshefit të KRM “Pastrimi” dhe një koordinatori për keqpërdorim detyre e ushtrim ndikimi

lajme të ngjashme