Ish-luftëtarët e UÇK-së, nga Haga ngushëllojnë për vdekjen e Qosjes NULL NULL 23.04.2026 20:02 23.04.2026 20:02 Bilall Sherifi, anëtar i ekipit mbrojtës të ish-kryeparlamentarit Jakup Krasniqi, ka publikuar një letër ngushëllimi për vdekjen e akademikut Rexhep Qosja. Sherifi thotë se letra është “në emër të atyre që padrejtësisht mbahen prapa grilave në Hagë”. Në letrën që e ka publikuar Sherifi, thuhet se jeta dhe vepra e Qosjes do të mbeten dritë udhërrëfyese dhe kujtim i paharruar për të gjithë ata që e njohën dhe e çmuan. “Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të më të dashurit tuaj. Kjo humbje e rëndë na ka prekur thellë edhe neve, prandaj ndajmë me ju pikëllimin në këto çaste të vështira! Jeta dhe vepra e tij do të mbeten dritë udhërrëfyese dhe kujtim i paharruar për të gjithë ata që e njohën dhe e çmuan. Ai do të jetojë përherë në kujtesën dhe respektin tonë dhe të kombit”, thuhet në letër, sipas Sherifit. Më tej, në letër thuhet se edhe pse larg e të privuar nga liria, “dhimbja juaj është edhe dhimbja jonë”. “Edhe pse larg jush dhe të privuar nga liria prej vitesh, dhimbja juaj është edhe dhimbja jonë. Nga muret e heshtura të Hagës, ju dërgojmë përqafimet tona më të sinqerta dhe qëndrojmë pranë jush me zemër e shpirt”. “Urojmë që të gjeni forcë në kujtimet dhe në dashurinë që ai la pas! I përjetshëm qoftë kujtimi i tij. Bashkudhëtarët e z. Rexhep Qosja në rrugëtimin për realizimin e aspiratave tona të ligjshme kombëtare”, është thënë në letrën e publikuar nga Sherifi, letër kjo në emër të ish-luftëtarëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë. /Klankosova.tv