Incidenti në veri, Serbia lëshon fletarrestim për policin e Kosovës NULL NULL 24.05.2025 15:39 24.05.2025 15:39 Ministri i brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, tha sot se ministria që ai drejton ka lëshuar një urdhër arresti për oficerin e policisë së Kosovës, i cili, pala serbe pretendon se sulmoi fizikisht dhe plagosi një nxënës serb të shkollës së mesme në veri të Mitrovicës të premten. “Ministria e Brendshme ka lëshuar një urdhër arresti për Dylot Brahimin, një oficer policie i Institucioneve të Përkohshme në Prishtinë, i cili dje sulmoi fizikisht dhe plagosi një nxënës serb të shkollës së mesme në një festë të përfundimit të vitit shkollor në Mitrovicën e Veriut”, tha Daçiq, transmeton Klankosova.tv. Ai shtoi se Brahimi do të arrestohet kur të jetë në dispozicion të policisë serbe, që nga sot e tutje, njoftoi Ministria e Brendshme e Serbisë. Të premten në orët e mesditës, maturantë serbë të shkollave të mesme nga komunat veriore të Kosovës, defiluan nëpër sheshin “Car Lazar” të Mitrovicës së Veriut. Gjatë këtij defileu u regjistrua një incident, të cilin pala serbe e paraqiti si sulm ndaj nxënësve serbë. Politikani nga veriu, Alleksandar Arsenijeviq, publikoi një video ku shihej një person nga një kafene në veri, duke e bërë simbolin e shqiponjës dykrenore me duar. Mirëpo, pamje se pse erdhi deri te ky moment, nuk u publikuan. Madje edhe videoja e publikuar nga Arsenijeviq ishte pa zë, gjë që lë hapësirë për dyshime. U publikuan edhe pamje të tjera, ku shihej një pjesëtar i Policisë së Kosovës duke komunikuar me një të ri serb, të cilit i kërkonte të mos provokonte. I riu serb ishte i gjakosur në qafë, por nuk dihet nëse kjo plagë i është shkaktuar nga ndërhyrja policore. Për këtë rast reagoi edhe policia e Kosovës, e cila e mohoi të ketë pasur dhunë ndaj të rinjve serbë. Madje, shefi në detyrë i MPB-së, Xhelal Sveçla, ditën e djeshme publikoi pamje të të rinjve serbë të cilët shiheshin duke ngritur tre gishta përpjetë, por edhe duke bërë provokime tjera. Sipas tij, ata përdorën simbole nacionaliste dhe brohoritje shoviniste si “Kosova është zemra e Serbisë”. Kurse sot, përmes një postimi në Facebook, mohoi çdo keqbërje nga policia e Kosovës, duke thënë se ngjyra e kuqe në qafën e të riut serb është vetëm ngjyrë, e jo gjak. “Ja si duket propaganda serbe: Kërkesën e zyrtarit policor që grupi mos të provokojë qytetarët në mënyrë që situata mos të eskalojë ata e quajnë dhunë dhe vendosjen e dorës e quajnë ngufatje. Shfaqjet e tyre të ekstremizmit dhe shovinizmit i quajnë festë, kurse ngjyrën e kuqe me të cilën ata kanë ngjyrosur figura të ndryshme në trup tentojnë ta paraqesin si gjak. Asgjë e re nga ta! Kjo propagandë mund të ketë efekt vetëm tek të painformuarit dhe qarqet nacionaliste në Serbi”, shkroi Sveçla. /Klankosova.tv