Asnjë gjurmë nga Xhafer Raqi, operacioni i kërkim-shpëtimit po vazhdon ende (VIDEO) NULL NULL 03.07.2026 23:35 03.07.2026 23:35 Gazetarja Vesa Hoda Edicioni Special Klankosova Ka kaluar më shumë se një ditë që nga zhdukja e 78-vjeçarit, Xhafer Raqi, nga lagjja “Bregu i Diellit” në Prishtinë, dhe fati i tij mbetet ende i panjohur. Familjarët kanë humbur kontaktet me të që nga mëngjesi i së enjtes, rreth orës 08:00, kur ai kishte dalë nga shtëpia. Në lidhje direkte për Edicionin Special në Klan Kosova, gazetarja Vesa Hoda bëri të ditur se kërkimet për gjetjen e 78-vjeçarit ende janë duke vazhduar. Për më shumë se një ditë nuk dihet ende asgjë për fatin e 78-vjeçarit, Xhafer Raqi, nga lagjja “Bregu i Diellit” këtu në Prishtinë. Kjo pasi mëngjesin e djeshëm ai ka dalur nga shtëpia, pra nga ajo lagje, në rreth orës 08:00 dhe nga familjarët nuk dihet ende asgjë për vendndodhjen e tij. Sigurisht që kjo është edhe më shqetësuese për familjen pasi që 78-vjeçari vuan edhe nga demenca. E pikërisht për këtë po lajmërohemi këtu nga Tokbashqa, ku tashmë janë duke vazhduar kërkimet për të moshuarin, ku siç mund ta shihni edhe këtu, se kërkimet janë duke vazhduar me pajisje të ndryshme duke përfshirë dron. Këtu kanë ardhur edhe familjarë, po ashtu janë edhe vullnetarë dhe shoqata të ndryshme të kërkim-shpëtimit”, ka thënë Hoda. Në një prononcim nga terreni për Klankosova, Mentor Maloku nga Shoqata e Kosovës për Kërkim-Shpëtim, ka bërë të ditur se operacioni ka nisur që ditën e djeshme dhe ka zgjatur deri në orët e hershme të mëngjesit. Kemi bërë kërkime deri në ora 03:00 të mëngjesit. Pastaj sot kemi vazhduar që nga mëngjesi duke kontrolluar të gjitha ato pikat ku kemi dyshuar që ka kaluar përmes kamerave, dhe kemi ardhur deri në një pikë të caktuar ku është parë për herë të fundit,” deklaroi Maloku. Sipas Malokut, terreni ku po zhvillohen kërkimet është mjaft i vështirë. Në vendngjarje, përveç Shoqatës së Kosovës për Kërkim-Shpëtim, po operon edhe një ekip i udhëhequr nga Ridvan Tahiri, si dhe hetuesit e Policisë së Kosovës. Tani jemi këtu në Tokbashqe, ku e kemi një rreze të kontrollit apo të verifikimit të terrenit. Këtu është një terren goxha i vështirë i kërkimit. Deri tani kemi kërkuar me këmbësori, mirëpo pa një rezultat të caktuar, ndërsa sonte do të vazhdojmë me drone,” shtoi ai, duke falënderuar edhe familjarët e qytetarët e shumtë që po qëndrojnë në përkrahje të ekipeve. Familja dhe autoritetet bëjnë apel tek të gjithë qytetarët që nëse kanë ndonjë informacion për vendndodhjen e Xhafer Raqit, të njoftojnë menjëherë Policinë e Kosovës apo ekipet e shpëtimit në terren.