Mbi një ton bajame të kontaminuara në Shqipëri, AKU apelon: Mos i konsumoni NULL NULL 03.07.2026 23:39 03.07.2026 23:39 Një rast shqetësues për sigurinë ushqimore është raportuar së fundmi, ku mbi 1,100 kilogramë bajame të dyshuara si të kontaminuara kanë hyrë në treg dhe, sipas autoriteteve, pjesa më e madhe e tyre tashmë është shitur tek konsumatorët. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka bërë një njoftim urgjent, duke kërkuar që qytetarët të shmangin konsumimin e produktit “BLANCHED ALMOND EXTRA FINE”, me datë skadence 22.10.2026, pasi analizat kanë zbuluar prani të acidit hidrocianik mbi kufijtë e lejuar, i cili mund të përbëjë rrezik për shëndetin. Sipas AKU-së, sinjalizimi ka ardhur përmes Sistemit Evropian të Alarmit për Ushqimin (RASFF), i cili ka identifikuar produktin si të pasigurt për konsum njerëzor. Produkti me origjinë nga Spanja është importuar në vend nga subjektet Albanian Smart Distribution sh.p.k. dhe Alta Group. Autoritetet shprehen se situata është veçanërisht problematike pasi, nga sasia e importuar, pjesa dërrmuese është shpërndarë tashmë në treg dhe ka përfunduar te konsumatorët fundorë. AKU u kërkon qytetarëve që nëse e kanë blerë këtë produkt, të mos e konsumojnë dhe ta kthejnë në pikën e shitjes ose të kontaktojnë tregtarin përkatës./TCh