Hoti: QPS-ja dhe institucione të tjera, përgjegjëse për rastin e 5-vjeçarit nga Janjeva NULL NULL 16.04.2026 10:33 16.04.2026 10:33 Ministri për Punë dhe Familje, Andin Hoti, ka pranuar raportin final për trajtimin e rastit të familjes së pesëvjeçarit nga Janjeva e Lipjanit nga ana e Qendrës për Punë Sociale (QPS). Raporti është dorëzuar të mërkurën pasdite nga Divizioni për Inspektimin e Shërbimeve Sociale dhe Familjare. Në një deklarim për KosovaPress, Hoti konfirmoi se gjetjet e raportit nxjerrin përgjegjëse jo vetëm QPS-në, por edhe institucione të tjera, duke paralajmëruar masa ndëshkuese për të gjithë ata që kanë dështuar në trajtimin e duhur të rastit. Ai bëri të ditur se do t’i propozojë kryetarit të Komunës së Lipjanit marrjen e masave disiplinore ndaj stafit të QPS-së në këtë komunë, si dhe shqyrtimin nëse ata kanë zbatuar obligimet që rrjedhin nga vendimi i Gjykatës i vitit 2023 për monitorimin e familjes. Sipas Hotit, raporti konstaton se përgjegjësia është edhe ndërinstitucionale, ndërsa theksoi se rasti është ende nën hetim nga Prokuroria, çka e kufizon dhënien e detajeve të mëtejshme. Ministri njoftoi gjithashtu se do të kërkojë mbledhjen e grupit koordinues ndërministror për mbrojtjen nga dhuna në familje, me qëllim të adresimit të përgjegjësive dhe përmirësimit të bashkëpunimit mes institucioneve, përfshirë shëndetësinë dhe sigurinë. Po ashtu, ai paralajmëroi mundësinë e tërheqjes së licencave për zyrtarë përgjegjës në QPS të Lipjanit, përfshirë menaxheren e rastit dhe shefen e qendrës, nëse vërtetohet se nuk kanë zbatuar detyrimet ligjore. Hoti theksoi se janë duke u pritur edhe disa verifikime shtesë nga institucionet përkatëse, përfshirë Policinë e Kosovës, ndërsa shtoi se përgjegjësia për rastin nuk mund të shmanget. “Një fëmijë sot është në spital, me gjymtyrë të dëmtuara, për faj të dikujt. Dikush duhet të marrë përgjegjësi”, u shpreh ai. Një muaj më parë, ngjarja e pesëvjeçarit e ka tronditur vendin. Për shkak të keqtrajtimit nga prindërit, ai mori trajtim mjekësor në Kujdesin Intensiv Pediatrik. Për dy prindërit e tij, me vendim të Gjykatës Themelore të Prishtinës ishte caktuar masa e paraburgimit. Ndërkaq, gjashtë fëmijët të kësaj familje janë marrë nën përkujdesje nga Qendra për Punë Sociale të Lipjanit.