“Histori tragjike”, Krasniqi për riatdhesimin e Eva Dumanit në Shqipëri (VIDEO) NULL NULL 16.02.2026 08:16 16.02.2026 08:16 Pas një operacioni të koordinuar me partnerë ndërkombëtarë, autoritetet shqiptare kanë mundësuar riatdhesimin e Eva Dumanit, e cila prej disa vitesh ndodhej në një kamp në Siri. Në një mision të mëparshëm riatdhesimi, ajo kishte refuzuar të largohej nga kampi, ndërkohë që në atë kohë ishte rikthyer në Shqipëri vëllai i saj, transmeton Klankosova.tv. Eva dhe Endri Dumani ishin mes rreth 80 grave dhe fëmijëve të mbetur në kampin Al Hawl në Siri, pas rënies së të ashtuquajturit “Shteti Islamik”. Ata kishin mbetur pa përkujdesje familjare pas ndarjes nga jeta të gjyshes së tyre, Mendije Dumani, e cila kujdesej për ta. Lidhur me këtë, gazetari Vullnet Krasniqi tha në “Ora Shtatë” se historia e Evës shpjegon historinë e shumë grave shqiptare që kanë shkuar në Siri. “Historia e Evës është historia që ndoshta më së shumti e shpjegon historinë e grave shqiptare që kanë shkuar në Siri, për dy arsye. Arsyeja e parë është mënyra si ka shku, e paaftë për me vendos vet, ka shkuar si fëmijë. Ka qenë një prej rasteve të pakta që bashkëshortja ka refuzuar të i bashkëngjitet burrit me fëmi. Por historia është bërë edhe më interesant, kur shkon gjyshja e Evës”, tha Krasniqi në Klan Kosova. Gazetari tha se janë ngritur dyshime se Eva është manipuluar nga disa gra në Siri, që të mos kthehet në Shqipëri. Nga ana tjetër, Arian Xhezairi tha se kampi Al Hawl është për keqardhje. “Ajo etapë famëkeqe ka prekur shumë familje tek ne dhe është për keqardhje, sepse kemi njerëz të humbur, përplasje kulturore që ka ndodhur tek ne në Kosovë. Mirëpo bashkimi me nënën është për me u gëzu, me gjithë ato defektet tjera”, tha Xhezairi.