Helmimet në Han të Elezit, pronari i “fast-food”-it të dyshimtë: Higjienën e kam mbi nivel NULL NULL 15.07.2026 20:05 15.07.2026 20:05 Dhjetëra raste të helmimit nga ushqimi dyshohet se kanë ndodhur sot në Hanin e Elezit. Kjo është konfirmuar për Klankosova.tv edhe nga QKMF-ja në këtë qytet. E në njërin prej bizneseve ku dyshohet se ka ndodhur helmimi, ka “zbarkuar” Inspektorati i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës (AUV), ku kanë marrë edhe disa mostra për testim. Ky institucion tashmë ka dalë me një raport paraprak. AUV thotë se në Han të Elezit është marrë mostër e majonezës nga objekti i shërbimit, teksa u theksua se mostrat janë dërguar në Laboratorin e Ushqimit dhe Veterinarisë. “Analizat laboratorike janë në proces”, tha AUV. Ndërkohë, për Klankosova.tv është deklaruar pronari i këtij biznesi. Besar Qajani, konfirmon se inspektorët e vizituan dhe se morën mostrat e majonezës. “Po dyshohet për raste të helmimit. Inspektorët i kanë kontrolluar të gjitha, ushqimin, mishin, frigoriferët dhe kanë rezultuar në rregull. Për testim janë marrë disa mostra të majonezës, ku dyshohet se helmimi mund të ketë ardhur si pasojë e tij”, deklaroi ai. Ai shtoi se inspektorët kanë kontrolluar edhe higjienën, e cila, sipas tij, “ka rezultuar mbi nivel”. “Unë deri pak çastesh e kam marrë vesh se po bëhet fjalë për helmim. Deri më tani, asnjë klient s’ka pasur ankesa. Do t’i presim pastaj rezultatet e mostrave dhe te shohim”, theksoi Qajani. AUV thotë se pas përfundimit analizave laboratorike dhe vlerësimit të të gjitha provave të mbledhura gjatë kontrollit zyrtar, AUV do të përpilojë raportin përfundimtar dhe do të njoftojë publikun për rezultatet. /Klankosova.tv