Harvardi në shënjestër: Administrata e Trumpit nis hetim për shkelje të të drejtave civile NULL NULL 29.04.2025 11:36 29.04.2025 11:36 Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka nisur një hetim ndaj Universitetit të Harvardit dhe revistës studentore Harvard Law Review, për dyshimet se janë shkelur ligjet federale të të drejtave civile. Hetimi ka në qendër procesin e përzgjedhjes së artikujve në revistë, ku sipas autoriteteve, mund të jetë ushtruar diskriminim racor ndaj autorëve të artikujve. Sipas një deklarate të përbashkët të Departamentit të Arsimit dhe atij të Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore të SHBA-së, redaktorët e Harvard Law Review dyshohet se i dhanë përparësi racës së autorëve gjatë përzgjedhjes së artikujve për botim, në vend të cilësisë së përmbajtjes. Kjo mund të përbëjë shkelje të Nenit VI të Aktit të të Drejtave Civile të vitit 1964, i cili ndalon diskriminimin racor në institucionet që marrin fonde federale. “Procesi i përzgjedhjes së artikujve në Harvard Law Review duket se zgjedh fituesit dhe humbësit bazuar në racë, duke përdorur një sistem ku raca e studiuesit është po aq e rëndësishme, nëse jo më shumë, se cilësia e punës së botuar,” deklaroi Craig Trainor, Ndihmës Sekretar i Arsimit për të Drejtat Civile në detyrë, raporton Associated Press, transmeton Klankosova.tv. Lajmi për nisjen e hetimit u publikua pak orë pasi një gjyqtar federal vendosi të shqyrtojë me përparësi padinë e Universitetit të Harvardit kundër administratës Trump. Universiteti kërkon të ndalojë vendimin e administratës për të ngrirë 2.3 miliardë dollarë fonde federale, të cilat janë thelbësore për kërkimet mjekësore dhe shkencore. Që nga fillimi i mandatit të tij, Donald Trump ka ndërmarrë hapa për të kufizuar programet që promovojnë diversitetin, barazinë dhe përfshirjen në institucionet akademike dhe publike, duke i cilësuar ato si diskriminuese ndaj të bardhëve dhe burrave. Ndërkohë, Universiteti i Harvardit ka njoftuar këtë javë se do të riemërtojë Zyrën e Barazisë, Diversitetit, Përfshirjes dhe Përkatësisë në “Zyra e Jetës Komunitare dhe Kampusit”, një veprim që shihet si përpjekje për të shmangur polemikat dhe për të riorganizuar strukturat e brendshme.