Hapja e Urës së Ibrit, DASh: Nuk do të hezitojmë të mbrojmë jetët e amerikanëve NULL NULL 16.08.2024 09:38 16.08.2024 09:38 Ura mbi Lumin Ibër në Mitrovicë. Foto | Klankosova.tv Departamenti i Shtetit ka thënë se ShBA-ja nuk do të hezitojë të bëjë çfarëdo që është e nevojshme që të mbrojë personelin dhe popullin amerikan në Kosovë. Këto komente u bënë nga zëvendës zëdhënësi kryesor i DASh-it, Vedant Patel, gjatë një konference të djeshme për media. “Nuk do të hezitojmë të bëjmë çfarëdo që është e nevojshme të sigurohemi që personeli amerikan dhe njerëzit tanë janë të mbrojtur”, ka thënë Patel. Ky reagim vjen në dritë të idesë për hapjen e urës së Ibrit në Mitrovicë nga Qeveria e Kosovës. Kjo ide nuk ka hasur në mbështetje nga faktori ndërkombëtar. ShBA-ja, BE-ja e vende tjera aleate të Kosovës i kanë kërkuar qeverisë që të mos ndërmarrë veprime të njëanshme. Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se në rast të ndërmarrjes së një veprimi të tillë, mund të rrezikohet jeta e ushtarëve amerikanë në kuadër të KFOR-it. Ky i fundit e ka lutur qeverinë që të mos vazhdojë me këtë ide në këtë kohë. Qeveria ndërkaq ka thënë se ura duhet të hapet dhe se e njëjta nuk paraqet rrezik për askënd në Kosovë.