Golden State barazon rekordin e Michael Jordan NULL NULL 04.03.2016 11:00 04.03.2016 11:00 Një sezon i cmendur vetëm kështu mund të përshkruhet ky edicion për Golden State Warriors. Kampionët në fuqi të Nba me një super Stephen Curry vendosën një tjetër rekord në këtë sezon ëndrrash. Golden State triumfoi me shifrat 121-106 përballë Oklahoma City Thunder duke e cuar në plot 44 numrin e fitoreve rradhazi në shtëpinë e saj në sezonin e rregullt. Warriors falë këtij suksesi barazuan rekordin e Chicago Bulls të Michael Jordan të regjistruar nga 1994-n në 1996-n. Në Oracle Arena Stephen Curry koleksionoi në total 33 pikë 4 asiste dhe 4 rebound, me Golden State që e coi në 55 numrin e fitoreve sezonale në 60 takime të zhvilluara gjithsej. Oklahomës ndërkohë nuk i mjaftuan 54 pikët e realizuara nga dyshja Durant-Westbrook për të evituar humbjen e 4-t në 5 ndeshjet e fundit. Me të njëjtin hap si Golden State ecën edhe San Antonio Spurs. Skuadra teksane koleksionoi suksesin e 52-të në këtë sezon pasi kaloi në transfertë New Orleans Pelicans me shifrat 86-94. Heroi i formacionit të drejtuar nga Gregg Popovich ishte i përhershmi Kawhi Leonard, i cili regjistroi një tjetër provë bindëse duke realizuar 30 pikë dhe 11 rebound. Për San Antonion kjo ishte fitorja e 7 radhazi dhe e 17-ta në 20 ndeshjet e fundit. Gjithcka e lehtë për Miami Heat që vijoi serinë e fitoreve pasi në Florida kaloi pa më të vogëlin problem Phoenix Suns me rezultatin 108-92. Në suksesin e skuadrës së Eric Spoelstras shkëlqeu dyshja Dwayne Wade-Goran Dragic, me të parin që realizoi 27 pikë ndërsa basketbollisti slloven u ndal në kuotën e 25 të tillave. Të pamjaftueshme 34 pikët e rookie-it Devin Booker për Phoenix me lojtarin e talentuar të skuadrës nga Arizona që bëri paraqitjen e tij më të mirë në karrierë, shkruan SuperSport.al. Surpriza e mbrëmjes në NBA erdhi nga Sacramento Kings që triumfoi brenda në Texas përballë vendasve të Dallas Mavericks me rezultatin 104-101.