Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Fillon procesi gjyqësor ndaj 486 personave të dyshuar të grupit kriminal MS-13 në El Salvador

NULL NULL
21.04.2026 15:32

Në El Salvador ka nisur procesi gjyqësor masiv ndaj 486 udhëheqësve të dyshuar të bandës MS-13.

Sipas autoriteteve, grupi akuzohet kolektivisht për më shumë se 47,000 krime të kryera gjatë periudhës 2012–2022, përfshirë vrasje, zhvatje, trafik droge dhe armësh.

Sipas BBC, mes të akuzuarve ndodhen edhe persona që dyshohet se kanë qenë të përfshirë në një valë të rëndë dhune në mars të vitit 2022, ku 87 persona u vranë brenda një fundjave, transmeton Klankosova.tv.

Kjo ngjarje e rëndë kishte shtyrë Presidentin Nayib Bukele të shpallte “luftë kundër bandave”.

Zyra e prokurorit të përgjithshëm nuk ka dhënë detaje për kohëzgjatjen e procesit, por ka deklaruar se posedon prova “bindëse” që do të mundësojnë shqiptimin e “dënimeve maksimale” për të gjithë.

MS-13 është një bandë transnacionale që është përcaktuar si organizatë terroriste nga ShBA vitin e kaluar, transmeton Klankosova.tv.

Ajo u themelua në Los Angelos gjatë viteve 80 nga emigrantë salvadorianë që kishin ikur nga lufta civile në El Salvador, ndërsa sot ka prani të gjerë në Amerikën Qendrore.

Prokuroria ka theksuar se për vite me radhë kjo strukturë ka funksionuar në mënyrë sistematike, duke shkaktuar frikë dhe rrezik në familjet salvadoriane.

Në aktakuzë përfshihen edhe vepra të tjera të rënda si femicidi dhe zhdukjet me forcë, të cilat, sipas autoriteteve, kanë ndikuar drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve dhe kanë penguar zhvillimin ekonomik e social të vendit.

Përveç kësaj, të pandehurit akuzohen edhe për rebelim, me qëllim ruajtjen e kontrollit territorial dhe krijimin e një “shteti paralel”, sipas prokurorisë.

Autoritetet kanë bërë të ditur se 413 të dyshuar ndodhen tashmë në paraburgim, ndërsa ndaj 73 të tjerëve janë lëshuar urdhër-arreste dhe po ndiqen në mungesë.

Policia Civile Kombëtare e El Salvadorit ka njoftuar se ka zhvilluar operacione të gjera kërkimi dhe monitorimi, të cilat kanë mundësuar lokalizimin, arrestimin dhe dokumentimin e aktiviteteve kriminale të të dyshuarve.

Ndërkohë, gjendja e jashtëzakonshme e vendosur në mars 2022, e cila ka zgjeruar kompetencat për arrestime dhe ka pezulluar disa të drejta kushtetuese, vazhdon të jetë në fuqi në El Salvador.

lajme të ngjashme