Fillesa e fotografisë shqiptare NULL NULL 27.08.2015 09:24 27.08.2015 09:24 Fahredin Spahija, fotograf dhe profesor i fotografisë në Kosovë, i quan të qëllimshme studimet që kërkojnë të nxjerrin në dritë një tjetër datë të fillesës së fotografisë shqiptare. Nisur nga studimi më i fundit i studiuesit Besim Fusha, i cili e zhvendos vitin e fotos së parë shqiptare realizuar nga Pjetro Marubi më 1863, Spahija reagon duke e quajtur të konfirmuar faktin që fillesa e fotografisë shqiptare është më e hershme. Sipas tij, ka “kohë që historia e fotografisë botërore, e bazuar edhe mbi të dhënat e historisë shqiptare, e ka konfirmuar fotografinë e italianit Pjetro Marubi (1834-1903) ku është portretizuar Hamzë Kazazi, një nga prijësit e kryengritjes së Shkodrës të vitit 1835, si fotografinë e parë shqiptare por edhe si fotografinë e parë të bërë në hapësirat shqiptare, nga ndonjë fotograf. Në vitin 1995, shtëpia botuese parisiene ‘Arthaud’ boton albumin ekskluziv dhe gjithsesi të parin, me fotografitë e Studio Marubit me titullin ‘Albanie-visage des Balkans’ me tekst të Ismail Kadaresë. Në faqen 20 të këtij libri jepet portreti i Hamzë Kazazit me këtë informacion përcjellës: ‘La premiere photographie d’Albanie: portrait d’Hamzë Kazazi – Pjetër Marubi, 1858 (Fotografia e parë në Shqipëri: portreti i Hamzë Kazazit-Pjetër Marubi, 1858). Kurse, specialisti i studimeve shqiptare, Robert Elsie, në studimin e tij “Fotografia e hershme në Shqipëri”, te kapitulli ‘Koleksioni fotografik i Jozef Sekel-it’ ndër të tjera thotë: ‘Fotografitë e Jozef Sekelit të bëra në jugun e Gadishullit Ballkanik në vitin 1863 kanë një rëndësi të madhe historike dhe artistike. Janë fotografitë më të hershme të Shqipërisë, me përjashtim të një portreti të vetëm të kryengritësit Hamzë Kazazi, të kryer prej fotografit shkodran Pjetër Marubi (Pietro Marubbi, 1834-1903) në Shkodër në vitin 1858. Mund të jenë edhe fotografi më të hershme të Kosovës dhe llogariten ndër fotot më të vjetra të Maqedonisë’”, thotë Spahija. Sipas tij, është e çuditshme se si një studiues si Besim Fusha arrin në këtë konkluzion, duke iu referuar shkrimit që ai botoi disa ditë më parë në gazetën “Shqip”. “Në tërë këtë shkrim, me një frymë tepër entuziaste dhe besim të madh në intuitën e tij se ‘një tjetër fotografi qenka, ajo e para ndër shqiptarët’, Besim Fusha as edhe një herë nuk përmend Studio Marubin apo Dritëshkronjën Marubi dhe themeluesin e saj Pjetro (Pjetër) Marubin, e ‘Shkodrës së tij’! Ai e anashkalon ‘babain e fotografisë shqiptare’ me ngulm, përgjatë gjithë shkrimit të tij. Pse? Është goxha enigmatike, por është mirë të na zbulojë, ai vetë”, thotë Spahija. Sipas tij është i çuditshëm edhe një detaj! “Besim Fusha, në shkrimin e tij shkruan: ‘…Duke pritun goxha, përherë mendjeshinjestër përtej humbëtisë … Dhe, paska pritun tejdurueshëm, derisa kolegu Mark Cohen (Kohen) më mesazhoi përgëzueshëm në fundvitin 2003‘”. Kurse studiuesi Robert Elsie, në studimin e tij “Fotografia e hershme shqiptare” na e jep këtë të dhënë: “…pas kësaj, koleksioni u zhduk për më shumë se një shekull. U rizbulua në Bibliotekën Kombëtare të Austrisë prej Mark Kohenit (Mark Cohen) në vitin 2000”. Edhe këtë të dhënë, pra të rizbulimit të fotografive të Jozef Szèkely-t, Besim Fusha na e jep të pasaktë apo ndoshta “kolegu i tij e paska ‘mesazhuar’ tre vjet me vonesë se i ka zbuluar 8 fotografitë që fotografi austriak me prejardhje hungareze, i paska shkrepur në Shkodër, në muajin gusht të vitit 1863?”, thotë Spahija. Sipas tij, përpjekjet për të zhvendosur datën e fotografisë shqiptare janë përpjekje të inspiruara nga vende që duan të jenë ata të parët në kulturë në Ballkan. “Mbetet fare e paqartë arsyeja pse duhet me kaq ngulm ta zhvendosim vitin e krijimit të fotografisë së parë shqiptare?! Ndoshta, sepse dikujt i pengon që shqiptarët të jenë ‘djepi i fotografisë’ në Ballkan?! Është interesante përpjekja e Serbisë për të dëshmuar se serbët janë ata që për herë të parë e kanë sjellë fotografinë në Beograd dhe Serbi duke përmendur fotografin Anastas Jovanoviç, i cili ka jetuar dhe vepruar në Vjenë të Austrisë dhe i cili ka realizuar talbotopinë e parë qysh në vitin 1844 (sipas historiografisë serbe), por që asnjëherë nuk ka bërë asnjë fotografi të vetme në Serbi apo në Beograd. Si fotografin e parë serb, i cili ka jetuar dhe punuar në Serbi, historia serbe e përmend Georgije Knezheviçin me fotografinë e tij të parë të realizuar në vitin 1865 (“Nëna dhe e bija”)”, thotë Spahija. Në një studim mbi 20-vjeçar të mbledhur në një libër, studiuesi i fotografisë shqiptare, Besim Fusha, hedh idenë se fillesat e fotografisë shqiptare nuk janë në vitin 1858, dhe as personazhi që ndodhet në foto nuk është Hamzë Kazazi, duke hedhur poshtë ato çfarë Kel Marubi, shkroi në paskopertinën e fotografisë që mbante vitin 1858 “Hamzë Kazazi i Shkodrës”. Burri me fustanellën e bardhë, në portretin e të cilit dallohen mustaqet e gjata, dhe vështrimi i ulur poshtë, të çon te një tjetër personazh, te konsulli italian Mançini, që në atë kohë ka qenë në Shkodër. “Hamzë Kazazi, shkodrani rebel i paraviteve ’60 të shekullit 19, nuk është personi i ekspozuar në fotografinë e njohur deri tani. Ka krahasime që e përngjasojnë portretin me konsullin italian Mançini. Se përse Mançini gjendet në fotografinë e njohur, i veshur me kostumin e tabanit shkodran, nuk kërkon shumë vramendje. Thjesht edhe për faktin se mundësi të tilla, ngadalë-ngadalë, u bënë servirje të gatshme edhe në brendësitë e shërbimeve fotografike”, thotë Besim Fusha. Ai është i bindur se koha e fotografisë përkon me kohën e ushtrimit të detyrës në konsullatë në këtë qytet të Mançinit. Varri i Marubëve do të restaurohet Varri monumental i Marubëve dhe varri i Kol Idromenos do të restaurohen. Prej shumë vitesh, varret e figurave të rëndësishme të kulturës shqiptare janë lënë në mëshirë të fatit. Në faqen e saj në ‘Facebook’, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, thotë që së shpejti do të nisin punimet për t’i kthyer këto varre në monumente të vërteta të kulturës. Kjo iniciativë vjen pas një bashkëpunimi mes Ministrisë së Kulturës dhe Famullitarët e Kishës Katolike në Shkodër. 25 vjet më pas do të kujtohet dhe nëntori i vitit 1990 kur mesha e parë kremtuar nga Dom Simon Jubani, mblodhi në Varrezat e Rrmajit shqiptarë pa dallim feje por, që besonin në rilindjen e besimit e të shpresës!” Ishte akt guximi, hap drejt Perëndimit dhe provë se ishim të gjithë bashkë!”, thotë Kumbaro./ Gazeta-shqip