Familjes Zuka i ndërtohet shtëpia, s’i kyçet rryma (VIDEO) NULL NULL nga Valdrin Ibishi 31.12.2022 20:27 nga Valdrin Ibishi 31.12.2022 20:27 Qazim Zuka nga Miradia e Epërme e Fushë Kosovës ishte një nga përfituesit për ndërtimin e një shtëpie të re nga OJQ “Ndihmo edhe ti” dhe Komuna e Fushë Kosovës. Por, ani se ky objekt banimi u ndërtua në prill të vitit 2022, Zuka ende nuk ka dalë në shtëpi të re pasi, sipas tij, ndërtuesit por edhe komuna nuk i kryen punët si duhet. Sipas tij komunarët nuk i erdhën kur u bë pranimi teknik, por vetëm nga shoqata bamirëse. Klan Kosova bisedoi edhe me OJQ-në “Ndihmo edhe ti” të cilët treguan se ndërtuan 11 shtëpi për persona të pastrehë, por thonë se sipas marrëveshjes s’kanë përgjegjësi për gjërat tjera pasuese si rryma, uji e kanalizimi të cilat Zuka duhet t’i sjellë në shtëpi nga një distancë prej 400 metrash nga aty. Ngjashëm deklarojnë edhe nga pushteti lokal ku thonë se ky objekt u ndërtua sipas kontratës së paraparë. Ndërkohë, Zuka që prej marrjes së çelësave në dorë ka bërë kërkesa në KEDS për kyçje në shtylla energjetike, por që sipas tij i është thënë që duhet t’i blejë me vetiniciativë. Nga KEDS-i televizioni e pati të pamundur të marrë ndonjë përgjigje për rastin. E deri në rregullimin e gjërave elementare në shtëpinë e kësaj familje, këta të fundit po detyrohen të jetojnë diku tjetër. Qeraja paguhet nga komuna.