Ekipi iu sulmi me armë zjarri, reagon KRU i Mitrovicës NULL NULL 29.07.2026 19:35 29.07.2026 19:35 Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” Sh.A. ka reaguar pas incidentit të ndodhur gjatë kryerjes së detyrave zyrtare nga punonjësit e saj në terren, duke bërë të ditur se ndaj tyre është përdorur armë zjarri gjatë tentimit për çkyçjen e një konsumatori që nuk kishte shlyer obligimet financiare. Në reagimin e kompanisë thuhet se konsumatori kishte qenë i furnizuar rregullisht me ujë, por nuk kishte përmbushur detyrimet financiare, pavarësisht njoftimeve dhe mundësive të ofruara për pagesën ose arritjen e një marrëveshjeje për shlyerjen e borxhit. “Gjatë ndërmarrjes së veprimeve për çkyçjen nga rrjeti, punonjësit tanë janë përballur me sjellje të dhunshme, ku, sipas informacioneve të deritanishme, ndaj tyre është përdorur armë zjarri”, thuhet në reagimin e KRU “Mitrovica”. Kompania bëri të ditur se, fatmirësisht, incidenti ka përfunduar pa pasoja në njerëz. “KRU ‘Mitrovica’ Sh.A. dënon fuqishëm çdo formë të dhunës, kërcënimit dhe pengimit të punonjësve gjatë ushtrimit të detyrave të tyre zyrtare. Punonjësit tanë veprojnë në zbatim të përgjegjësive të tyre dhe meritojnë siguri dhe mbrojtje të plotë gjatë punës”, thuhet më tej në reagim. KRU “Mitrovica” u ka bërë thirrje Policisë së Kosovës, Prokurorisë së Shtetit dhe institucioneve të tjera kompetente që ta trajtojnë rastin me seriozitetin më të lartë dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme ligjore. “I bëjmë thirrje Policisë së Kosovës, Prokurorisë sëShtetit dhe institucioneve të tjera kompetente që rastin ta trajtojnë me seriozitetin më të lartë, të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme ligjore dhe të sigurojnë përgjegjësinë e plotë të personave të përfshirë”, thuhet në reagim. Në fund, kompania u ka bërë apel konsumatorëve që t’i përmbushin me kohë obligimet financiare dhe çdo mosmarrëveshje lidhur me borxhet apo shërbimet ta zgjidhin përmes rrugëve institucionale dhe ligjore. “Dhuna ndaj punonjësve që kryejnë detyrën e tyre nuk mund dhe nuk do të tolerohet”, përfundon reagimi i KRU “Mitrovica”. Sulmohet me armë ekipi i KRU Mitrovica, i dyshuari në arrati