Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Dy konvikte po renovohen, Rudari: N’mot nisin investimet për Lojërat Mesdhetare

NULL NULL
18.07.2026 12:22

Drejtori i Qendrës së Studentëve(QS), Ekrem Rudari, ka bërë të ditur se janë duke u zhvilluar punimet për renovimin e dy konvikteve, me synimin që ato të jenë të gatshme për pranimin e studentëve në muajin shtator.

Në një intervistë për Ekonomia Online, ai tha se fillimi i akomodimit të studentëve në Qendrën e Studentëve varet nga afatet e regjistrimit që cakton Rektorati.

“Tash jemi në renovim, në rregullimin e konvikteve. I kemi në proces dy konvikte, gëlqerosjen, dhe besoj që kemi me ia dalë deri në shtator. Këtë vit po presim të fillojmë më 15 shtator. Varet komplet nga Rektorati për afatin e dytë. Nëse i nxjerrin ata deri më 3 ose 4 shtator, ne më 15 shtator fillojmë me gjithçka. Vitin e kaluar nuk kemi mundur më 15 shtator sepse e kemi pritur afatin e dytë, për të mos i dëmtuar studentët të cilët kishin aplikuar në atë afat”, tha Rudari.

Sa u përket investimeve, Rudari theksoi se gjatë këtij viti nuk janë planifikuar projekte të reja, përveç renovimeve, ndërsa investimet më të mëdha priten të nisin vitin e ardhshëm në kuadër të përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare.

“Në këtë vit, investime nuk do të ketë diçka përpos renovimeve. Në vitin tjetër presim investime që lidhen me Lojërat Mesdhetare, ku do të fillojnë tre konvikte të reja. Pastaj është pishina gjysmë olimpike që do të bëhet e mbuluar, si dhe renovimi i të gjitha objekteve ekzistuese në Qendrën e Studentëve”, u shpreh ai.

Drejtori i Qendrës së Studentëve foli edhe për kapacitetet aktuale të akomodimit, duke bërë të ditur se, edhe pas investimeve të reja, kërkesa pritet të mbetet më e madhe se numri i vendeve në dispozicion.

“Është i njëjti. Tash kapaciteti është diku rreth 4,000 studentë. Pastaj me investimet e reja, priten të bëhen 5,000 gjithsej. Aplikues kemi zakonisht rreth 6,000, që do të thotë se rreth 2,000 studentë na mbesin çdo herë jashtë”, deklaroi Rudari.

lajme të ngjashme