Dy ditë letrare në Prishtinë NULL NULL 05.05.2016 14:38 05.05.2016 14:38 Poeti Xhevahir Spahiu do të hapë edicionin e gjashtë të Festivalit të Letërsisë “Polip”, që do të mbahet më 13-15 maj në Prishtinë. Pjesëmarrja e Spahiut me lexime në këtë event kulturor është konfirmuar nga drejtori i Festivalit Jeton Neziraj. Gati 30 shkrimtarë nga vende të botës do të jenë të pranishëm përgjatë dy ditëve në Prishtinë në kuadër të Festivalit të Letërsisë. Për herë të parë ka shkrimtarë nga Qipro, Zvicra dhe nga Suedia.“Në fillim i kemi dhënë kahe poezisë, pastaj na është dashur të ftojmë shkrimtarë që nuk janë veç poet. E ka marrë profilin e Festivalit pasi promovon shkrimtarë të rinj të Kosovës por edhe regjionit. Dy vitet e fundit kemi ftuar shkrimtarë edhe më të vjetër dhe është bërë një lloj kombinimi i gjeneratës së re të shkrimtarëve dhe gjeneratës së stabilizuar”, shpjegon Neziraj. Përveç leximeve do të ketë edhe katër panele, njëri i fokusuar në teatër, ndërsa paneli tjetër do të jetë mbi krijimtarinë e të burgosurve politikë në vitet ’70-’80. Personazhe të kësaj periudhe do të jenë të pranishëm duke lexuar pjesë nga krijimtaria e tyre… Festivalit nuk do t’i mungojnë elementë të aktualitetit, një prej të cilëve është dhe kriza e refugjatëve. “Polip” nisi si festival letrar gjashtë vite më parë, duke mbledhur çdo vit nën një temë të caktuar shkrimtarë të ndryshëm. “Ideja ka qenë që të krijojmë një rrjet të shkrimtarëve, të krijojmë mirënjohje të autorëve”, thotë Neziraj. Por letërsia shqipe ka më shumë hapësirë në këtë festival i cili këtë vit do të nderohet nga një figurë e njohur e letrave shqipe siç, është poeti Xhevahir Spahiu./ Gazeta – shqip