Dhëndri që vrau dy vëllezërit e gruas në Malishevë mbetet në paraburgim edhe për dy muaj NULL NULL 10.12.2025 17:03 10.12.2025 17:03 I dyshuari për vrasjen e dyfishtë në Malishevë: Astrit Isufi Foto nga Klankosova.tv Gjykata Themelore e Gjakovës ka njoftuar se ia ka vazhduar paraburgimin Astrit Isufit, të dyshuarit për vrasjen e dy vëllezërve të gruas së tij në Golluboc të Malishevës. Sipas njoftimit të Gjykatës, Astrit Isufit i është vazhduar paraburgimi deri më 5 shkurt të vitit të ardhshëm, raporton Klankosova.tv. “Ju njoftojmë se ndaj të pandehurit Astrit Isufi, me vendim të Gjykatës Themelore të Gjakovës, nga gjyqtari i procedurës paraprake, Drilon Haraçia, është vazhduar masa e paraburgimit deri më datën 5 shkurt 2026”. “Rasti aktualisht është në fazën hetimore dhe po trajtohet nga Prokuroria Themelore e Gjakovës dhe për çdo informatë tjetër shtesë luteni t’i drejtoheni prokurorisë”, thuhet në njoftimin e Gjykatës. Astrit Isufit, dyshohet se më 6 nëntor në fshatin Golluboc të Malishevës, ka privuar nga jeta dy vëllezërit e bashkëshortes së tij, Naim e Driton Morinën. Sipas njoftimit të Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se Astrit Isufi ka shkuar në shtëpinë e tyre me qëllim që të marrë bashkëshorten dhe fëmijët e tij, të cilët ndodheshin aty për ceremoninë e varrimit të babait të saj. Gjatë largimit nga shtëpia, siç thuhet në njoftimin e Prokurorisë, ka pasur një fjalosje midis Astrit Isfuit dhe viktimave, pas së cilës i pandehuri ka nxjerrë armën e zjarrit, pistoletë të tipit TT, dhe ka shtënë disa herë në drejtim të tyre duke u shkaktuar plagë fatale në pjesë vitale të trupit. Naim dhe Driton Morina janë dërguar në QKMF Kijevë, por mjekët kanë konstatuar se ata kanë arritur pa shenja jete. Pas ngjarjes, i dyshuari është larguar nga vendi i krimit, por është arrestuar një ditë më vonë ( 7 nëntor) nga organet e rendit. Shënim: Personi/personat e përmendur në këtë artikull, prezumohen të pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë nga gjykata.