Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Dështon seanca për caktimin e dënimit ndaj ish-kryetarit të LDK-së në Drenas

NULL NULL
04.11.2024 13:46
Pallati i Drejtësisë
ARKIV: Pallati i Drejtësisë

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë këtë të hënë, ka dështuar të mbahet seanca për caktimin e dënimit, ndaj ish-kryetari i LDK-së në Drenas, Bedri Nika, i cili së bashku me Albian Nika, po akuzohen për pastrim parash.

Ndryshe, në seancën e kaluar më 28 tetor 2024, dy të akuzuarit janë shpallur fajtorë për veprën penale në bashkëkryerje “Shpëlarja e parave” , raporton Betimi për Drejtësi.

Ndaj të pandehurit Bedri Nika gjykata ka refuzuar akuzën për veprën “Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale”, pasi që prokurori i Prokurorisë Speciale në përfundim të shqyrtimit gjyqësor ishte tërhequr nga kjo akuzë.

Trupi gjykues, në seancën e kaluar në bazë të nenit 356 paragrafi 1 nenparagrafi 1.2 dhe paragrafi 2 të Kodit të Procedurës Penale për caktimin e dënimit ndaj të akuzuarve kishte caktuar seancë të veçantë (04.11.2024) lidhur me këtë rast.

Mungesën e të akuzuarit Bedri Nika në seancën e sotme e ka arsyetuar mbrojtësi i tij, avokati Granit Hadërgjonaj, i cili njoftoi gjykatën se përmes një parashtrese e ka njoftuar të njëjtën për pamundësinë e prezencës në seancë të të mbrojturit të tij, që sipas tij i njëjti ka udhëtuar jashtë vendit për një urgjencë familjare.

Ndërsa, për mungesën e të akuzuarit Albian Nika, avokati i tij Përparim Haliti, njoftoi gjykatën se me të njëjtin nuk ka kontakt pasi që ai jeton jashtë vendit.

Në mungesë të prokurorit, Milot Krasniqi dhe të akuzuarve Bedri Nika dhe Albian Nika, gjyqtarja e rastit Namani – Hajra, në mungesë të kushteve për mbajtjen e seancës, njoftoi për shtyerjen e saj për një datë tjetër.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 14 prill 2023, kishte shpallur aktgjykim duke e dënuar të akuzuarin Bedri Nika me 1 vit burgim dhe 15 mijë euro gjobë për veprën penale “pastrimi i parasë”, ndërsa e kishte liruar për veprën penale “blerja, pranimi dhe fshehja e sendeve të përfituara me vepër penale”, kurse të akuzuarin Albian Nika për veprën penale “pastrim i parasë” e kishte dënuar me 6 muaj burgim dhe 5 mijë euro gjobë.

Kurse Gjykata e Apelit e kishte vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Ndërsa Gjykata Supreme e Kosovës kishte konstatuar se aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë nuk është përpiluar duke u bazuar në dispozita ligjore, pasi që si dispozitivi, ashtu edhe arsyetimi nuk përmbajnë sqarime të duhura në lidhje me “aktivitetin kriminal”, që konsiderohet element esencial i figurës së veprës penale për të cilën të dënuarit Nika shpallur fajtor.

Sipas të njëjtit aktgjykim thuhet se shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale me të cilat janë përfshirë aktgjykimet e shkallës së parë dhe së dytë janë të asaj natyre që nuk kanë mundur që të evitohen nga Gjykata Supreme e Kosovës, kështu që të njëjtat kanë qenë arsye që kanë imponuar që detyrimisht kjo çështje penale të kthehet në rigjykim në gjykatën e shkallës së parë që duhet të marrë një vendim të drejtë, të ligjshëm dhe të arsyetuar mjaftueshëm për çdo pikë të aktgjykimit.

Sipas aktakuzës së ngritur më 20 dhjetor 2021, Bedri Nika ngarkohej me veprat penale “Blerja, pranimi dhe fshehja e sendeve të përfituara me vepër penale” dhe veprën penale “Pastrimi i parasë”, me të cilën vepër ngarkohej edhe i akuzuari Albian Nika. /BetimipërDrejtësi

lajme të ngjashme