Davkova betohet si presidente e Maqedonisë së Veriut NULL NULL 12.05.2024 14:36 12.05.2024 14:36 Gordana Silanovska-Davkova e ka bërë betimin të dielën si gruaja e parë presidente e Maqedonisë së Veriut prej pavarësimit të vendit në vitet ’90, pasi i fitoi zgjedhjet presidenciale më 8 maj. Davkova e mposhti presidentin e deritanishëm, Stevo Pendarovski, duke fituar dyfish më shumë vota se ai në balotazhin e së mërkurës. Pasi u betua gjatë një seance para përbërjes në largim të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Davkova, megjithatë, gjatë fjalimit të saj e shmangu fjalën “e veriut” në emrin e shtetit, ashtu siç kishte paralajmëruar gjatë fushatës së saj. “Do të jem presidente e të gjithëve, edhe pjesës së majtë edhe asaj të djathtë të Kuvendit; presidente e të gjithë qytetarëve pavarësisht përkatësisë së tyre etnike, fetare apo politike”, ka thënë Davkova. Ajo u zotua se kabineti i saj presidencial do të pasqyrojë përbërjen etnike të vendit, “ku do të ketë vend edhe për maqedonasit, shqiptarët dhe përfaqësuesit e entiteteve tjera, ndërsa përzgjedhja e tyre do të bëhet bazuar në kritere profesionale dhe jopartiake”. Në sallën e Kuvendit ishin përfaqësuesit e të gjitha partive të përbërjes parlamentare para zgjedhjeve të 8 majit.