“S’mund ta përjashtojmë”: Shkencëtarët e Covid19 dyshonin privatisht se virusi mund të kishte dalë nga laboratori NULL NULL 24.07.2026 23:34 24.07.2026 23:34 Foto ilustruese / Getty Images Shkencëtarët që luajtën rol kyç në hedhjen poshtë të teorisë se Covid-19 mund të ketë rrjedhur nga një laborator, kanë pranuar në biseda private se këtë mundësi “nuk mund ta përjashtojmë”, sipas mesazheve të publikuara së fundmi, siç raporton “The Telegraph”, transmeton Klankosova.tv. Në mars të vitit 2020, një grup virologësh me ndikim publikuan në revistën “Nature Medicine” një studim ku argumentonin se pandemia ka shumë gjasa të ishte shkaktuar nga kalimi natyror i virusit nga kafshët te njerëzit. Artikulli, i njohur si “The Proximal Origins of Covid”, përfundonte se “nuk besojmë se ndonjë skenar që përfshin një laborator është i besueshëm”, duke ndikuar fuqishëm në zbehjen e debatit mbi këtë teori në nivel global. Megjithatë, mesazhet e siguruara dhe të publikuara nga senatori amerikan Rand Paul tregojnë se, në prapaskenë, shkencëtarët shprehnin shqetësime se Instituti i Virologjisë në Wuhan (WIV) kishte kryer eksperimente me koronaviruset në kushte të pamjaftueshme sigurie biologjike. Virusi u shfaq vetëm rreth 13 kilometra larg laboratorëve të WIV-së dhe dukej se ishte tashmë i përshtatur për të infektuar njerëzit. Tre muaj pas publikimit të studimit, njëri nga autorët, profesori Kristian Andersen nga Instituti “Scripps” në Kaliforni, shkroi në platformën Slack: “Në fund të fundit, ne nuk kemi prova të forta në asnjërin drejtim dhe, veçanërisht duke pasur parasysh disa nga provat e fundit, nuk mund ta përjashtojmë mundësinë që dikush ta ketë vendosur aty. Kjo nuk do të thotë se dikush e bëri, por nuk mund ta përjashtojmë. Studimi ynë ishte shumë i prerë duke thënë se ‘nuk ka asnjë mundësi’, por në këtë fazë kam më pak besim në atë deklaratë”. Në artikullin e “Nature Medicine”, autorët kishin argumentuar se manipulimi i koronaviruseve të lakuriqëve të natës kryhej në laboratorë në mbarë botën dhe se ishte e padrejtë të vihej gishti vetëm te WIV. Megjithatë, Andersen pranoi privatisht se kjo nuk ishte e vërtetë. “Kjo nuk është e vërtetë. Kjo është bërë ekskluzivisht në WIV”, shkroi ai, duke shtuar se besonte se si origjina natyrore ashtu edhe ajo laboratorike ishin “po aq të mundshme”. Ai paralajmëroi gjithashtu se studimi pretendonte se manipulimi i viruseve ishte i vështirë dhe se virusi nuk mund të kishte lindur përmes eksperimenteve të evolucionit në qeliza, por sipas tij, të dyja këto argumente ishin dëshmuar të pasakta. Andersen vlerësonte se mundësia e një rrjedhjeje nga laboratori ishte rreth 30 për qind, ndërsa bashkëautori i tij, profesori Eddie Holmes nga Universiteti i Sidneit, e vlerësonte atë mes 10 dhe 20 për qind. Viscount Ridley, autor i librit “Viral: The Search for the Origin of Covid-19”, tha: “Këto mesazhe konfirmojnë se autorët e ‘Proximal Origins’ vazhduan të besonin se një rrjedhje nga laboratori ishte e mundur. Atëherë pse nuk e korrigjuan ose tërhoqën studimin që e çorientoi botën?” Mesazhet tregojnë gjithashtu se autorët ishin në dijeni se Dr. Shi Zhengli, shkencëtarja kryesore për viruset e lakuriqëve të natës në WIV, ishte edhe vetë e shqetësuar se Covid-19 mund të ishte shkaktuar nga një aksident laboratorik. Në shtator të vitit 2021, Dr. Zhengli kishte aplikuar për një grant për të futur një vend prerjeje furine (furin cleavage site – FCS) në koronaviruset e lakuriqëve të natës – pikërisht elementi që e bëri Covid-19 shumë infektues për njerëzit. Edhe pse Agjencia Amerikane për Projekte të Avancuara të Kërkimit në Mbrojtje (DARPA) e refuzoi grantin duke e konsideruar tepër të rrezikshëm, mesazhet në Slack tregojnë se disa shkencëtarë kishin frikë se puna mund të kishte vazhduar gjithsesi. Profesori Andrew Rambaut nga Universiteti i Edinburgut shkroi: “Nuk është e pabesueshme që dikush të ketë vazhduar dhe të ketë provuar disa nga këto eksperimente. Thjesht duhet ta bindim veten përsëri se është rastësi”. Profesori Holmes shtoi se ishte “e habitshme” që një koronavirus i prejardhur nga lakuriqët e natës me një vend prerjeje furine u shfaq në të njëjtin qytet ku një laborator po propozonte eksperimente të tilla me koronaviruset e lakuriqëve të natës. WIV planifikonte këtë kërkim në bashkëpunim me organizatën “EcoHealth Alliance”, të themeluar nga zoologu britanik Peter Daszak dhe virologu amerikan Dr. Ralph Baric nga Universiteti i Karolinës së Veriut. Rambaut u shkroi bashkautorëve se do të duhej të diskutonin për atë që ai e quajti “katastrofa Baric/Daszak” dhe të hartonin një strategji “që të mos lidhemi me këta njerëz”. Ai paralajmëroi gjithashtu kolegët të “qëndronin larg email-it” ose të “përzgjidhnin me kujdes disa email-e” në rast se do të kishte kërkesa për qasje në dokumente sipas ligjeve për lirinë e informimit. Edhe pse virologët deklaronin publikisht se shumica e shkencëtarëve mbështesnin teorinë e origjinës natyrore të pandemisë, në bisedat private pranonin se kjo nuk ishte e vërtetë. Andersen tha se ishte “mjaft i befasuar” kur mësoi se “shumica e shkencëtarëve me të cilët flas besojnë se ekziston një lidhje e mundshme me laboratorin”. Profesori Richard Ebright, biolog molekular në Universitetin Rutgers, i cili ka kërkuar një hetim të plotë të teorisë së rrjedhjes nga laboratori, deklaroi: “Pretendimi, i përsëritur mijëra herë nga gazetarët, se shumica e shkencëtarëve mbështesnin origjinën natyrore të Covid-it dhe kundërshtonin origjinën laboratorike, ka qenë gjithmonë një gënjeshtër. Dhe pothuajse gjithmonë një gënjeshtër e qëllimshme”. Sipas mesazheve, shkencëtarët shpreheshin me përçmim ndaj gazetarëve, politikanëve, komentuesve dhe ekspertëve që mbështesnin teorinë e rrjedhjes nga laboratori, duke i quajtur ata “idiotë”, “të paditur”, “të çmendur” dhe “budallenj”, si dhe duke përdorur nofka fyese për disa ekspertë. Senatori Rand Paul tha: “Pas dyerve të mbyllura, shkencëtarët që shkruan studimin ‘Proximal Origin’ vinin në dyshim privatisht përfundimet e tyre. Publikisht, megjithatë, ata turpëruan, sulmuan dhe censuruan ata që ngritën pyetje legjitime – gjithçka në emër të kontrollit të dëmit. Ne meritojmë përgjegjësi për çdo përpjekje që synoi ta mbante publikun në errësirë”. Gazeta “The Telegraph” ka kontaktuar shkencëtarët për koment, por ata nuk kanë dhënë ende përgjigje. /Klankosova.tv