Besa mposht Prishtinën në hendboll NULL NULL 22.02.2020 21:12 22.02.2020 21:12 Një ndeshje shumë të mirë ka ofruar derbi i javës në Superligën e Kosovës në hendboll. Në palestrën “Karagaçi” në Pejë të shtunën janë takuar Besa Famgas dhe Prishtina, transmeton Klan Kosova. Ndeshjen shumë të fortë e cilësore e fitoi Besa Famgas me rezultatin e ngushtë, 26:24. Në palestër ishin rreth 1000 shikues që krijuan atmosferë shumë të mirë. Ata janë ndarë të kënaqur me hendbollin e treguar dhe me paraqitjen e lojtarëve. Besa është forcuar në vend të parë me 32 pikë. Tani ka katër më shumë se Prishtina që është e dyta. Të dy humbjet e këtij edicioni Prishtina i ka pësuar nga Besa. Ekipi pejan ka vetëm fitore. Prishtina ka fituar pjesën e parë me rezultat 15:13 dhe ishte në epërsi për kohë të gjatë. Por në fund pejanët përmbysën rezultatin dhe arritën te fitorja. Prishtina në pjesën e parë kishte epërsi deri në tri gola, ndërsa epërsia e saj në pjesën e dytë shkoi deri në katër gola (19:15). Por më pas Besa u kthye furishëm dhe kaloi në epërsi 20:19 në minutën e 48-të. Prej minutës së 54-t Besa filloi të shkëputet në dy gola, por Prishtina nuk dorëzohej, duke u afruar në një gol. Në fund rezultati ishte 26:24 në të mirë të Besës, ndërsa Prishtina ishte në lojë deri në fund, por i kushtuan disa gabime në sulm. klankosova.tv