Begaj pret në takim Haxhiun, ia rikonfirmon angazhimin për rritjen e numrit të njohjeve për Kosovën NULL NULL 31.10.2024 13:46 31.10.2024 13:46 Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka pritur sot në takim ministren e Drejtësisë së Kosovës, Albulena Haxhiun. Gjatë takimit, Begaj ka përshëndetur nismat dhe reformat e reja të ndërmarra nga qeveria e Kosovës, veçanërisht në fushën e drejtësisë si dhe përkushtimin për përputhshmërinë me politikat euroatlantike. “Është një proces i gjatë dhe aspak i lehtë, u shpreh presidenti i Shqipërisë, duke theksuar se kryerja e reformave në interes të qytetarëve përmbush ëndrrën tonë si komb, atë të integrimit në Bashkimin Evropian”. Në takim u theksua bashkëpunimi i shkëlqyer mes institucioneve të Shqipërisë dhe atyre të Kosovës. Begaj shprehu edhe rëndësinë e avancimit të këtij bashkëpunimi në projektet strategjike të Portit të Durrësit, Portit të Thatë të Prishtinës dhe lidhjen e tyre me hekurudhën Durrës- Prishtinë që do të na ndërlidhin më shumë. Kreu i shtetit shqiptar nënvizoi se bashkëpunimi mes shqiptarëve ka një rol unik për stabilitetin, sigurinë, zhvillimin e qëndrueshëm dhe perspektivën Euroatlantike të dy vendeve dhe gjithë rajonit si qëllim strategjik. Tutje, Begaj rikonfirmoi angazhimin për rritjen e numrit të njohjeve të reja dhe për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, teksa shtoi se është i rëndësishëm hartimi i strategjive të përbashkëta për të prezantuar reformat e ndërmarra dhe progresin e synuar, raporton Ora News, përcjell Klankosova.tv. “Shqipëria ka qenë dhe do të jetë gjithmonë aty për Kosovën”, u shpreh Begaj, i cili theksoi se Republika e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm, pavarësisht çdo tentative dashakeqe që është e destinuar të dështojë.