“Babai”, premierë në Festivalin e Filmit në Gjermani NULL NULL 29.06.2015 08:44 29.06.2015 08:44 Aktorë të filmit “Babai”, bashkë me regjisorin, Visar Morina kanë marrë pjesë në premierën botërore të filmit të metrazhit të gjatë “Babai”, që është dhënë në mbrëmjen e së dielës në Munih të Gjermanisë. Astrit Kabashi, Val Maloku e Adriana Matoshi u shoqëruan nga regjisori Visar Morina e drejtori i Qendrës Kinematografike të Kosovës, Arben Zharku në festivalin e filmit të metrazhit të gjatë. Filmi ‘’ Babai’’ është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe nga një produksion gjerman, duke përfshirë edhe kooproduksione të Francës dhe Maqedonisë. ”Babai” e shtjellon rrëfimin e Norit (Val Maloku) një fëmijë i cili shet cigare në rrugë bashkë me të atin Gëzimin (Astrit Kabashi) në Kosovën e viteve të nëntëdhjeta ku babai dëshiron të gjejë një mënyrë për të emigruar në Gjermani e i biri bën çdo gjë për të qenë me të. Të zënë në mes të dëshirës për të qenë së bashku dhe nevojës për t’u ballafaquar me realitetin e vështirë, marrëdhënia babë-bir zhvillohet deri në pikën ku asgjë mes tyre nuk është më ashtu si ka qenë.