Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

As më pak dhe as më shumë

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 28.02.2026 10:20

Fare pak ditë kanë mbetur deri në ditën kur politika kosovare dhe qytetarët e saj do ta marrin vesh lajmin vendimtar i cili do të na kumtojë që stabiliteti politik i arritur me mund të madh vetëm pak javë më parë, do të vazhdojë tutje, me zgjedhjen e Presidentit/ Presidentes së Kosovës, apo, që gjithçka do të kthehet për vendimmarrje tek qytetarët e Kosovës, në zgjedhjet e treta me radhë që nga shkurti i vitit të kaluar.

Nëse ndodhë kjo, pra, nëse njëmend do të detyrohemi sërish të votojmë, atëherë do të del që ne si qytetarë, kemi marrë vendimet kapitale tre herë për 15 muaj  (se kush duhet t’i prijë këtij vendi), teksa politika kosovare mezi arriti ta marrë një vendim të vetëm, kur u krijua legjislatura e dhjetë dhe Qeveria e re, ndërsa dështoi në të gjitha rastet e tjera kur pati në dorë që t’i jep drejtim këtij shteti.

Ky raport tre me një, në mes të qytetarëve dhe politikës, mbase, i dëfton të gjitha se ku kemi mbërrit. Natyrisht, nëse nga Kuvendi i Kosovës, kah mesi i javës së ardhshëm, nuk do të kuptojmë që megjithatë, përkundër të gjithave, do ta kemi Presidentin/ Presidenten dhe do të qëndrojmë në një kurs të qëndrueshëm të bërjes së politikës, i cili do të shmang për një kohë relativisht të gjatë gjetjen e zgjidhjes përmes zgjedhjeve të reja parlamentare.

Detyra e qytetarëve është që një herë në katër vjet të votojnë dhe t’ia tregojnë vendin të gjithë atyre që janë në garë politike për ta udhëhequr Kosovën. As më pakë dhe as më shumë.

Nuk është në mandatin e tyre që orë dhe çast t’i vizitojnë qendrat e votimit për ta caktuar qendrën e pushtetit në nivel të Kosovës.

Është kjo një barrë e madhe, e cila, tek e fundit, nuk i takon atyre.

Kështu janë punët në demokraci. Kështu duhet të jenë edhe te ne.

Zgjedhjet janë mjet për realizimin e qëllimit: Të bërjes së Kosovës me pushtet.

Ato, zgjedhjet pra, nuk janë qëllim të vete.

Aktualisht, qytetarët e Kosovës ende besojnë që partitë politike do t’ia gjejnë qarën punës së zgjedhjes së Presidentit të Kosovës. Akoma ata, me atë rezonin e thjeshtë që shpeshherë është më në nivel se mendimi politik i atyre që janë shfaqur si pretendentë për t’i prirë vendit, mbërrin te konkludimi që njëmend nuk ka kurrfarë logjike që prapë të kalojmë nëpër fushatë parazgjedhore, sërish t’i shohim politikanët tonë që për të tretën herë t’i përsërisin të njëjtat premtime, edhe një herë të shkojmë në qendra të votimit për të bërë atë që kemi bërë dy herë brenda një afati të shkurtër kohor.

Por ky rezoni i thjeshtë i qytetarëve të Kosovës mund të dalë i gabuar  (edhe një herë, do të mund të shtojë dikush këtu), përballë një refuzimi këmbëngulës të politikanëve dhe partive tona që të pajtohen për mënyrën se si do të procedohet për zgjedhjen e Presidentit në Kuvendin e Kosovës.

Rregullat e lojës janë të qarta dhe ato janë përcaktuar me Kushtetutën e Kosovës dhe me Verdiktin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të vitit 2011.

Dikush mund të kualifikohet si kandidat për tu votuar për postin e Presidentit, vetëm nëse ka mbledhur nënshkrimet e tridhjetë deputetëve të Kuvendit. Nuk ka Konkurs publik për postin e Presidentit. Në teori pra, kur dihet që janë 120 deputetë në Kuvendin e Kosovës, një përbërje e këtillë mund të ofrojë deri në katër kandidatë/ alternativa në garën parlamentare për President.

Nënshkrimet mund të mblidhen saora nëse do të ketë vullnet politik te qeveria aktuale e Kryeministrit Kurti apo te opozita parlamentare.

Por, shikuar së paku nga perspektiva e kësaj të shtune, nuk ka shenja të mira që do të kemi zhvillime të mbara në ditët e ardhshme, të cilat do të çojnë kah zgjedhja e Presidentit dhe kah shmangia e zgjedhjeve të reja parlamentare.

Ndoshta edhe e kemi gabim. Natyrisht, ky do të ishte lajmi më i mirë i mundshëm për të gjithë ne. Që në fund do të dalim të gabuar.

lajme të ngjashme