Artistët kërkojnë ligj të ri për kinematografi NULL NULL 16.09.2015 11:43 16.09.2015 11:43 Unioni i Artistëve te Filmit të Kosovës, është shprehur se ligji i Kosovës për Kinamatografi duhet të rishqyrtohet. Sipas këtij unioni, ligji aktual në fuqi po e dëmton procesin e zhvillimit të kinematografisë kosovare. “Pas shpalljes së fituesve të projekteve filmike në konkursin e Qendrës Kinematografike të Kosovës më 09.09.2015, si dhe pas dyshimeve që na u krijuan në procesin e vendimit të projekteve filmike, e kemi analizuar gjithë procesin dhe kemi ardhur në përfundim që duke marrë parasysh defektet e ligjit për kinematografi në fuqi, si dhe për deri sa ligji i ri është në shqyrtim në Kuvendin e Kosovës, po keqpërdoret kjo zbrazëtirë nga ana e QKK-së, si dhe e njëjta po anashkalohet nga ana e Ministrisë së Kulturës. Ky keqpërdorim dhe anashkalim po e dëmton procesin e zhvillimit të kinematografisë Kosovare”, thuhet në komunikatë. Pika kryesore që UAFK e thekson në komunikatë, është krijimi i jurisë vlerësuese ku 4 prej gjithsej 7 anëtarëve nuk janë kosovarë. Ky union ka kërkuar që Kuvendi i Kosovës në mënyrë urgjente të procedojë me fuqizimin e ligjit të ri për kinematografi.