Anesteziologu Elezi: Shifra prej 1438 të vdekurve në Francë artificialisht e rritur (VIDEO) NULL NULL 16.04.2020 00:11 16.04.2020 00:11 1438 të vdekur janë raportuar për 24 orë në Francë që është edhe shifra më e madhe e regjistruar që prej kur pandemia ka shpërthyer. Por, Vedat Elezi që është reanimator anesteziolog në Clemont Ferrand të Francës ka thënë se kjo shifër është artificialisht e rritur, për shkak se janë përfshirë edhe shifrat e vdekjeve gjatë vikendit. “Situata ngelet e vështirë dhe mjaft komplekse. Për dallim nga këto shifra, ne si duket shohim pak dritë në fund të tunelit. Është hera e parë që numri i hospitalizimeve ka dalë në rënie. Ne kemi pasë sot 513 raste hospitalizimi më pak dhe 273 pranime në reanimacion më pak”. “Numri rekord i vdekjeve prej 1438 shpjegohet me atë që ka pasë vonesë të trajtimit të dhënave për shkak të vikendit të zgjatur të Pashkëve. Numri real i vdekjeve të sotme është vetëm 762”. “Numri i sotëm 1438 është artificialisht i rritur, për shkak se janë edhe rastet e ditëve të mëparshme”. Ai në Edicionin Special në Klan Kosova ka treguar se pse disa persona e kalojnë Covid-19 sikur një grip të thjeshtë ose nuk e ndjejnë fare, derisa të tjerë përfundojnë me fatalitet. “Ne bashkëjetojmë me mikrobet, viruset dhe bakteret në mënyrë të vazhdueshme dhe falë forcave tona imunitare mbrohemi në mënyrë të vazhdueshme nga këto mikrobe. Shkalla e sëmundjes varet nga reagimi adekuat i forcave tona imunitare, shembull tipik janë fëmijët që kanë një sistem imunitar shumë më perfekt se sa një i moshuar. Përshtatshmëria dhe ekuilibri i mbrojtjes imunitare është shumë më i mirë te një fëmijë në krahasim me një person më të moshuar”. “Është tipike që rastet më të rënda kanë një reaksion të tepërt në të cilën mushkëria transformohet në fushëbetejë të dyluftimit mes virusit dhe forcave mbrojtëse që ka për pasojë dëmtimin mjaft të madh të mushkërisë”. Por, cila duhet të jetë strategjia dalëse në rastin e kësaj pandemie? “Për fat të keq, ne akoma jemi në pozitë mbrojtëse karshi virusit – është ai që akoma sulmon. Do të ishte absolutisht fantastike që të dilnim nga pozita mbrojtëse në pozitë sulmi. Për të dalë në pozitë sulmi duhet të kemi një trajtim efikas, qoftë anti-viral ose akoma më mirë me vaksinë”. “Zhvillimi i një ilaçi që ka veprim shumë të mirë ndaj virusit kërkon vite, nuk mund të bëhet brenda ditëve, javëve dhe muajve. Gjithë shpresat janë në hulumtimet e mundshme të shpejta që të gjejmë ndonjë anti-viral që do të kishte veprim te virusi”. “Derisa nuk jemi në gjendje që të sulmojmë, atëherë duhet të mbrohemi në mënyrë efikase. Mbrojtja më e mirë do të ishte po të kishim disiplinë aziatike dhe një seriozitet gjerman”. “Detektimi duhet të jetë sa më i madh, sepse është mënyra e vetme për të parë ku sulmon virusi. Këto raste duhet shpejt të izolohen”. “E dyta është higjiena personale dhe kolektive – larja e duarve dhe pastrimi i hapësirave. Ndërsa, e treta është mbajtja e maskës. Unë nuk e kuptoj pse akoma ka polemika nëse duhet të mbahet maska ose jo. Nuk ka dyshim që maska duhet të mbahet nga gjithkush që del në hapësira publike”.