Aktori Dritan Kastrati nga teatrot e Londrës në “Pit Stop Mafia” NULL NULL 15.05.2016 19:47 15.05.2016 19:47 I rritur në një qytet të pushtuar nga krimi, Kriza që fëmijë bënte diferencën. Djaloshit dikur topolak i pëlqenin mësimet, pavarësisht se këshilla e të atit, por dhe e drejtoreshës së shkollës ishte “të mos mësonte aq shumë”. Kohë më pas ai do të shndërrohej në djaloshin simpatik, i cili në një shoqëri që kërkon të bëjë pazar dhe me vdekjen përpiqet të ndjekë intuitën e tij. Kriza, personazhi i filmit “Pit Stop Mafia”, i cili vetëm dy ditë më parë pati premierën në kinema “Millenium”, nën regjinë e Fatmir Koçit, interpretuar nga aktori Dritan Kastrati, është një personazh i cili jep dritën se në shoqërinë tonë të rrënuar këto vite, ka ende shpresë. Me këtë komedi e cila zgjat më shumë se një orë, regjisori Koçi, vjen në një formë tjetër nga ajo çfarë kemi mësuar të shohim deri tani nga prodhimet e tij kinematografike. Me një skenar ku mbizotëron grotesku, kjo komedi përmes së qeshurës që e shoqëron publikun pothuajse deri në fund të tij, është një shuplakë ndaj gjendjes me të cilën përballet shoqëria sot. Një gjuhë disi e ashpër e zgjedhur nga regjisori Koçi, sjellë përmes një historie e cila na sjell në vëmendje jetën në një qytet tjetër jashtë Tiranës, interpretuar nga një kastë aktorësh e zgjedhur. Ngjarjet e filmit zhvillohen në një qytet të vogël dhe të harruar nga koha,(Laç) ku njerëzit duan para dhe kanë pamje mafiozësh haluçinante dhe groteske. Personazhi kryesor quhet Tulla, 30 vjeç,(interpretuar nga Besart Kallaku) njeri i fortë, që ka biznesin e tij: lavazh, agjenci funerale dhe dasma. Çmenduria e bën të vetëshpallet zot i aksidenteve në ‘autostradën e vdekjes’ për ‘të vdekurit’ që ndërkaq vishen me kostume Armani dhe Gucci false (Guçi). Tulla, që ka tre fëmijë dhe gruan, kërkon të zhduket për të mos ekzistuar, ndërkohë që ka hesape me Krizën; të cilin e ka rritur si mafioz, pasi i ka vrarë të atin. Por ndryshe nga ambienti ku është rritur Kriza nuk zgjedh rrugën e krimit, dhe as nuk bëhet vrasës për hesap të hakmarrjes së vjetër. Në role të tjera në këtë komedi interpretojnë aktorët Doruntina Vishe, Albana Perhati, Rezart Veleshnja, Gëzim Meta, Emi Canaj, Samuel Vargu, Erand Hoxha etj. Kjo komedi është një personifikim i një realiteti që e prekim çdo ditë, dhënë thjesht me një gjuhë plot humor nga regjisori Koçi. Interpretimi i Besart Kallakut sjell fizionominë e vërtetë të Tullës, i cili personifikon tjetërsimin e individit, i aftë të varrosë të gjallë vetëm për para. Një rol i cili e sjell ndryshe Kallakun në ekranin e kinemasë, duke e profilizuar si një aktor sfidues. Duket se regjisori Koçi ka qenë i kujdesshëm në zgjedhjen e aktorëve. Rolin e Krizës, ai ia besoi aktorit shqiptar që jeton në Londër Dritan Kastrati, me të cilin ka bashkëpunuar dhe në “Amsterdam Ekspress”. Pjesëmarrja e një aktori si Kastrati në këtë film, me një përvojë të gjatë si aktor në teatro të njohur britanikë, si dhe kinema, i jep një tjetër ritëm filmit. Ai është i shndërruar i gjithi në rolin që i kanë besuar, duke folur jo vetëm përmes pasazheve, por dhe gjuhës së trupit. Duket se ai dhe personazhi kanë dhënë e marrë nga njëri-tjetri. “Për mua është shumë e rëndësishme pjesëmarrja në një film shqip, aq më tepër në një komedi e cila ironizon realitetin me të cilën përballemi”, thotë Kastrati. I larguar nga Shqipëria në moshën 11-vjeçare historia e tij është një film më vete, që ndoshta do ta shkruajë dikur. Pasionin për aktrimin e zbuloi gjatë shkollimit, ku tipare të karakterit të tij do të pikaseshin nga profesorë, të cilët do ta orientonin drejt një rruge e cila tashmë është rruga e tij. Një rrugë në të cilën Dritani ecën plot dëshirë, dhe e do çdo ditë njësoj. Pas interpretimeve në pjesë teatrale të vogla gjatë shkollës, ai do të luajë për herë të parë në një film në moshën 16-vjeçare. Është regjisorja Penny Woolcock, e cila do t’i besojë rolin e parë te filmi “Margate exodus” një film i bazuar në Dhiatën e Vjetër. I realizuar në vitin 2007 në këtë film interpretojnë aktorë si Bernard Hill, Clare Ashitey apo Daniel Percival. Kalimi në tapetin e kuq në premierën e filmit në Londër, apo posterat me imazhin e tij do të ndryshonin përgjithmonë ëndrrën e djaloshit shqiptar. Tashmë aktrimi ishte bota në të cilën dëshironte të qëndronte, ajo përmes së cilës do të jetonte dhjetëra jetë. Gjatë studimeve për teatër, ai u angazhua në Frantic Assembly , një rrjet ku gjen teatër, dhe mediume kontemporane, ku ende vazhdon të jetë i përfshirë sot. Janë dhjetëra role të cilat Kastrati i ka intepretuar në teatro të ndryshme në Londër. “Teatri është një tjetër gjëndje. Eshtë një emocion i drejtëpërdrejt”, thotë Kastrati, i cili vazhdon ta shohë skenën e teatrit si një formën më të dëshiruar për një artist. Këto kohë ai është duke punuar për rolin e Montanos, te tragjedia e Otellos te Shekspiri. Një nga tragjeditë më të mëdha të Shekspirit, mbart forcën e xhelozisë ekstreme, e cila duhet të shihet në lojën e aktorëve që interpretojnë aty. Por teatri është një ndjesi e bukur për Kastratin, tek e cila kërkon gjithnjë të kthehet pas çdo sheshi xhirimi. Vetëm pak kohë më parë, ai ishte me xhirime në Afrikë dhe Rusi për një rol një serial të njohur televiziv, i cili do të shfaqet në FOX. Por pjesëmarrja në një film ku flitet shqip është më shumë se një rol, për një aktor që e ka lënë herët vendin e tij. Ndaj Kriza është vetëm një personazh nga personazhe të tjera që Dritan Kastrati do t’u japë jetë në gjuhën e tij./ Gazeta – shqip