Aktakuzë ndaj tre personave për vjedhjen e telefonit të Lumezit NULL NULL 02.06.2017 16:28 02.06.2017 16:28 Departamenti për Krime të Rënda në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kundër të pandehurve L.K., M.M. dhe N.G., për rastin e vjedhjes së telefonit të Kryeprokurit të Shtetit, Aleksandër Lumezi. Sipas aktakuzës, të pandehurit më 22 nëntor të vitit të shkuar, rreth orës 03:25, në lagjen ’’Veternik’’ në Prishtinë, të pajisur me maska dhe armë zjarri, kanë hyrë me forcë në shtëpinë e Lumezit ku kanë marrë një telefon celular të markës „Samsung“ të papërdorur dhe në momentin që kanë dëgjuar familjarët duke lëvizur janë larguar me shpejtësi nga shtëpia. Bëhet e ditur se njëri nga të pandehurit me inicalet L.K. gjatë deklaratës së dhënë në Polici e ka pranuar se e ka kryer veprën penale të vjedhjes në shtëpinë e Aleksandër Lumezi. Po ashtu sipas aktakuzës tre të pandehurit L.K., M.M. dhe N.G., nga muaji tetor deri në muajin dhjetor 2016, përveç vjedhjes së lartcekur, në shtëpi të ndryshme kanë kryer edhe shtatë raste të vjedhjeve, të veturave të shtrenjta, stolive të arit dhe gjësendeve tjera me vlerë. Gjatë bastisjes së shtëpive të tre të pandehurve dhe veturës së njërit prej tyre janë gjetur prova të ndryshme materiale. Prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës kompetente që të pandehurit t’i shpallë fajtorë për veprat e kryera penale dhe t’i dënojë sipas ligjit.