A do kërkojë Rama zbatimin e Nenit 5 të NATO-s nëse Diella “vritet” nga një sulm kibernetik? NULL NULL 21.09.2025 22:36 21.09.2025 22:36 “The Washington Post” i ka kushtuar një opinion ministres Diella, që u emërua nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, dhe e cila është krijuar me inteligjencë artificiale. Sipas opinionit të “The Post”, presidenti amerikan, Donald Trump, krijoi dikur një agjenci të Shtëpisë së Bardhë që përdorte teknologjinë për të thjeshtuar qeverisjen, por sipas këtij opinioni, Rama e ka tejkaluar Trumpin duke e krijuar Diellën. “Rama njoftoi këtë muaj se ‘Diella’, që në shqip do të thotë ‘Diell’, do t’i bashkohet qeverisë së tij si ministre. Diella tashmë shfaqet për të përshëndetur vizitorët në faqen zyrtare e-Albania. Detyra e saj e re: mbikëqyrja e prokurimeve publike”. “As që ka nevojë të jetë aq e pakorruptueshme për të dalë më mirë se sistemi aktual. Vitin e kaluar, Shqipëria mori 42 nga 100 pikë në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International, i cili mat përhapjen e ryshfetit, nepotizmit dhe formave të tjera të abuzimit. Rama thotë se inteligjenca artificiale mund të ndihmojë në dhënien më të drejtë të tenderëve publikë”. “Rama është në pushtet që nga viti 2013. Ai e ka shtyrë vendin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, ndërkohë që përballet me kritika për korrupsion dhe prapakthim demokratik”. “Sigurisht, shpallja e Diellës si ‘ministre’ është më shumë një gjest simbolik. Kushtetuta e Shqipërisë kërkon që anëtarët e kabinetit të jenë qenie njerëzore; çfarëdo roli që të luajë IA në shpërndarjen e burimeve shtetërore, njerëzit do të jenë ata që përcaktojnë buxhetin dhe prioritetet e qeverisë”, thuhet në opinionin e “The Post”, transmeton Klankosova.tv. Në këtë opinion përmendet edhe sulmi kibernetik iranian i vitit 2022 ndaj shërbimeve kibernetike, të cilin Rama e pati krahasuar me një fushatë bombardimesh, teksa vihet në pikëpyetje nëse Rama do të kërkojë aktivizimin e Nenit 5 të NATO-s nëse Diella “vritet” nga një sulm kibernetik. “A do ta shtynte një sulm kibernetik që ‘vret’ një ministre të qeverisë Ramën të thirrej në dispozitën e mbrojtjes kolektive të NATO-s?”. “Megjithatë, kthimi drejt teknologjisë së re për të adresuar korrupsionin, edhe nëse vetëm në mënyrë simbolike, është një nxitje e dobishme. Në vend që të presin ardhjen e një ‘inteligjence artificiale të përgjithshme’ supernjerëzore, qeveritë anembanë botës mund të shohin mënyrat se si të përmirësojnë qeverisjen duke përdorur IA-në ekzistuese sot”. “Janë ende ditët e para të epokës së AI-së. Por, në botën konservatore dhe të kujdesshme të burokracisë shtetërore, Shqipëria meriton vlerësim për përpjekjen për të provuar diçka të re”, thuhet në opinion.