Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Habermas: Europa është në grackë politike, Gjermania hegjemoniste

NULL NULL
16.07.2015 23:49

Jürgen Habermas, njëri ndër intelektualët më të shquar botërorë, e ka goditur fuqishëm qasjen e Kancelares Angela Merkel ndaj krizës së Greqisë.

Në një intervistë për gazetën Guardian, filozofi dhe sociologu gjerman ka thënë se Merkel e ka ndëshkuar qeverinë e majtë të Alexis Tsipras.

“Kam frikë se Qeveria e Gjermanisë, përfshirë edhe fraksionin socialdemokrat, brenda një nate të vetme e ka humbur në bixhoz gjithë kapitalin politik që një Gjermani më e mirë e kishte akumuluar për 50 vjet”.

“Qeveritë e kaluara gjermane kanë treguar ndjeshmëri më të madhe politike dhe një mentalitet post-nacionalist”, transmeton Klan Kosova.

Habermas tha se duke e kërcënuar Greqinë me përjashtim nga eurozona gjatë procesit të negociatave, Gjermania “paturpësisht e ka treguar veten si disiplinuesja kryesore, kurse për herë të parë haptas ka shfaqur pretendimin për hegjemoninë gjermane në Europë”.

Sipas tij, rezultati i negociatave mes Greqisë dhe anëtareve tjera të eurozonës “është i pakuptimshëm në aspektin ekonomik, për shkak të përzierjes helmuese të reformave të panevojshme strukturale shtetërore dhe ekonomike me imponimet e mëtutjeshme neoliberale, të cilat do ta dekurajojnë popullin e rraskapitur grek, duke ia shuar çdo stimul për zhvillim”.

“Të detyruarit e Qeverisë së Greqisë për t’u pajtuar me fondin e privatizimit, që është ekonomikisht i diskutueshëm dhe kryesisht simbolik, nuk mund të kuptohet si asgjë tjetër përveç se një akt ndëshkimi kundër një qeverie të majtë”.

Habermas i tha Guardian se pajtohet me shumicën e pikëpamjeve të kritikëve të tij.

“Wolfgang Streeck dhe unë ndajmë idenë se ky dobësim teknokratik i demokracisë është rezultat i rrugës neoliberale të politikave që e derregullojnë tregun”.

“Balanca mes politikës dhe tregut është prishur në dëm të shtetit të mirëqenies”.

“Por, ne të dy ndryshojmë sa i përket pasojave që do të vijnë nga kjo gjendje e rëndë”.

“Unë nuk shoh se ne ç’mënyrë kthimi drejt shteteve kombëtare, që duhet të menaxhohen si të ishin korporata të mëdha në tregun global, mund ta kundërpeshojë tendencën drejt de-demokratizimit dhe rritjes së pabarazisë sociale – një gjë që ndodh në Britaninë e Madhe”.

“Tendencat e tilla mund të kundërshtohen, për aq sa kjo është e mundshme, me ndryshim të drejtimit politik të shkaktuar prej shumicave demokratike në një ‘Europë të fokusuar në bërthamën e saj’, që është e integruar më fuqishëm”.

“Unioni monetar duhet të forcohet për të vepruar në nivel mbi-kombëtar. Në vazhdën e procesit kaotik politik që është nxitur nga kriza në Greqi, më nuk e kemi luksin që t’i injorojmë kufijtë e metodës aktuale të kompromisit ndërqeveritar”.

Sipas tij, Europa është në një grackë politike, transmeton Klan Kosova.

“Pa një politikë të përbashkët financiare dhe ekonomike, ekonomitë kombëtare të shteteve anëtare pseudo-sovrane do të vazhdojnë të diferencohen prej njëra-tjetrës në aspektin e prodhimtarisë”.

“Asnjë bashkësi politike nuk mund ta durojë një tension të tillë për një kohë të gjatë”.

“Në të njëjtën kohë, duke u përqendruar në anashkalimin e konfliktit të hapur, institucionet e BE-së janë duke i parandaluar iniciativat e domosdoshme politike për zgjerimin e unionit monetar në një union politik”.

“Vetëm liderët qeveritarë që përbashkuar në Këshillin e Europës janë në pozitë që të veprojnë, por pikërisht janë ata që e kanë të pamundur ta bëjnë një gjë të tillë në interes të komunitetit të përbashkët europian”.

“Sepse kryesisht mendojnë për elektoratet e tyre kombëtare”.

lajme të ngjashme