Konfirmohet se policët që arrestuan Marko Gjuriqin janë duke u hetuar NULL NULL 24.04.2018 16:02 24.04.2018 16:02 Inspektorati Policor i Kosovës, ka nisur mbledhjen e informacioneve në lidhje me dyshimet eventuale ndaj zyrtarëve policorë që më 26 mars arrestuan Drejtorin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq. Është Departamenti i Hetimeve brenda IPK-së që ka nisur mbledhjen e këtyre të dhënave, njofton Klan Kosova. “Lidhur me këtë operacion policor, IPK ka pranuar një ankesë nga zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Milan Radojeviq, lidhur me disa dyshime për tejkalim të përdorimit të forcës nga ana e zyrtarëve policorë”. “Hetuesit e IPK-së do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore varësisht nga të gjeturat e këtij procesi të grumbullimit të informacioneve dhe në konsultim me prokurorin kompetent”, thuhet në komunikatën e IPK-së. “Misioni i Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK-së) është që përmes ushtrimit të veprimtarisë së tij, të sigurojë një shërbim policor të përgjegjshëm, demokratik dhe transparent, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe standardet e kërkuara”. “Në përputhje me këtë mision dhe fushëveprimin ligjor IPK merr masa dhe veprime hetimore në rastet kur dyshohet se pjesëtarët e Policisë së Kosovës kanë kryer veprime që bien ndesh me ligjin e PK-së dhe aktet tjera nënligjore të Policisë”. Përveç, IPK-së, këtë konfirmimin për nisjen e hetimeve e ka bërë për klankosova.tv, kryeprokurori i Mitrovicës, Shyqiri Syla. Sipas tij Prokuroria i ka dhënë leje IPK-së, për të kryer hetimet lidhur me rastin e arrestimit të Gjuriq. Ai ka thënë se kjo është bërë pas kërkesës së zëvendësministrit, Radojeviq, ku thuhet se atë ditë është bërë tejkalim i përdorimit të forcës”.