Albin Kurti: Astrit Dehari na kujton se koha e heronjve është aktuale NULL NULL 26.02.2018 14:45 26.02.2018 14:45 Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, sot duke kujtuar ditëlindjen e ish aktivistit të kësaj lëvizjeje Astrit Dehari, ka thënë se ai i kujton që koha e heronjve është aktuale. “Koha e heroizmave është kohë vërtet fatkeqe, kohë kur kundër dhunës së pushteteve tiranike nuk ngrihet një popull i tërë, që të vendosë lirinë, demokracinë e drejtësinë e vet, por vetëm pak njerëz të paepur, të cilët me sakrificën e vet e trimërojnë shumicën e popullsisë dhe e frikësojnë pakicën despotike”, ka shkruar Kurti në Facebook, përcjell Klan Kosova. “Por Astrit Dehari, mbytur në burg si shumë dëshmorë të lirisë para tij, na tregon se ende koha e heronjve është aktuale për ne. Është aktuale sepse kemi prezente regjimet e dhunshme dhe despotizmin tradhtar, e njëkohësisht kemi prezent edhe pasivitetin shoqëror, të cilin e shkund vetëm një subjekt, fatkeqësisht”. “Sot, më 26 shkurt, në ditëlindjen e Astrit Deharit, nëse duam që koha e heronjve dhe e dëshmorëve të lihet pas, duhet të kuptojmë se kjo nuk arrihet pa e rrëzuar në të njëjtën kohë, edhe tiraninë pushtetare, edhe indiferencën qytetare”. Kurti ka uruar për ditëlindjen e 82-të edhe veprimtarin e çështjes kombëtare, Adem Demaçi. Ky është postimi i plotë i tij: “Në secilën kohë, njeriu ka dëshirë të mendojë se heronjtë, dëshmorët, i përkasin së shkuarës, se ata i përkasin historisë që e gjejmë në libra, se në të tashmen jemi qytetarë, njerëz, individë, e nuk ka më vend a nevojë për heroizma. Koha e heroizmave është kohë vërtet fatkeqe, kohë kur kundër dhunës së pushteteve tiranike nuk ngrihet një popull i tërë, që të vendosë lirinë, demokracinë e drejtësinë e vet, por vetëm pak njerëz të paepur, të cilët me sakrificën e vet e trimërojnë shumicën e popullsisë dhe e frikësojnë pakicën despotike. Vërtet pra, një popull me qytetari të lartë, që nuk e toleron tiraninë e despotizmin, i tejkalon heronjtë e dëshmorët, i lë ata në të shkuarën. Por Astrit Dehari, mbytur në burg si shumë dëshmorë të lirisë para tij, na tregon se ende koha e heronjve është aktuale për ne. Është aktuale sepse kemi prezente regjimet e dhunshme dhe despotizmin tradhtar, e njëkohësisht kemi prezent edhe pasivitetin shoqëror, të cilin e shkund vetëm një subjekt, fatkeqësisht. Sot, më 26 shkurt, në ditëlindjen e Astrit Deharit, nëse duam që koha e heronjve dhe e dëshmorëve të lihet pas, duhet të kuptojmë se kjo nuk arrihet pa e rrëzuar në të njëjtën kohë, edhe tiraninë pushtetare, edhe indiferencën qytetare. E sot, i urojmë ditëlindjen edhe Adem Demaçit, heroit të gjallë të qëndresës dhe mospërkuljes përballë çdo pushteti tiran e gjakatar.”