Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Të jetosh si një ushtar

NULL NULL
10.12.2016 16:31
Për 72 orë rresht, në javën e parë të dhjetorit, të rinjtë, vajza e djem, të moshave prej 14 deri në 26 vjet u mësuan, u ushtruan, u sfiduan, u dënuan, por edhe u argëtuan në jetën ushtarake, nën urdhrat e stafit të Brigadës së Reagimit të Shpejtë, të Batalionit të FSK-së në Istog.

Për ushtrinë e rregullt, kanë parë e dëgjuar vetëm në fotografitë bardh e zi ose në rrëfimet e baballarëve. Por, tani si të rritur morën iniciativën për dhënien ngjyrë këtyre fotografive.

Një grup prej 29 anëtarësh të Kuvendit të të Rinjve të Kosovës, kërkuan vullnetarisht që të  jetojnë si ushtarë në Forcën e Sigurisë së Kosovës. Dhe kjo është hera e parë që civilëve si grup u mundësohet të përjetojnë sfidat e uniformës ushtarake.

fsk2Anëtarët e Kuvendit të të Rinjve të Kosovës provuan jetën ushtarake

Për 72 orë rresht, në javën e parë të dhjetorit, të rinjtë, vajza e djem, të moshave prej 14 deri në 26 vjet u mësuan, u ushtruan, u sfiduan, u dënuan, por edhe u argëtuan në jetën ushtarake, nën urdhrat e stafit të Brigadës së Reagimit të Shpejtë, të Batalionit të FSK-së në Istog.

Vetë komandanti, Kolonel Xhevahir Geci u dëshiroi mirëseardhje. Ndërsa me dy nga të rinjtë, pranoi të drekoj bashkë, për t’iu treguar pak a shumë rreth vështirësive të udhëheqjes së një batalioni.

E vështirësitë u përjetuan qysh në mëngjesin e parë. Gjithçka nisë në orën 5 pa 10 minuta. Për këta minuta të mbetur, një ushtar duhet të vishen me rroba sportive, dhe me kolegët e dhomës të rregullojë të paktën një nga 4 shtretërit.

E në orën 5, duhet të rreshtohen para eprorëve. Ani se është ftohtë, nuk lejohen kapelat, e shallet herë-herë.

Gatitu!- urdhëron togeri. Djathtas kthehu! – vazhdon. Para marsh! E fillojnë ecjen me këmbën e majtë, të gjithë njëlloj. Po bëre një gabim në hapa, të vjen një oshtimë tek veshi: E majta, majta!…!

Arrin në fushën e ushtrimeve. Fillon me nxehjet e nyejve nga qafa deri tek zogu i këmbës. Vazhdon me ushtrimet kardiovaskulare dhe më pas me relaksimin e muskujve. Të gjitha këto marrin kohë rreth një orë. E dielli ende nuk ka lindur, derisa avulli nga goja bashkohet me errësirën. Këto momente agimi fatkeqësisht nuk mund të fotografohen se askush nuk mund ta ketë një telefon apo kamerë me vete.

Në orën 6, duhet kthyer në dhomë, për pastrim trupi. Djemtë rruajnë mjekrën, e vajzat lidhin flokët. Të gjithë veshin uniformën ushtarake, dhe 10 minuta para orës 7 rreshtohen jashtë, për të marshuar drejt mensës. Në rresht për një, marrin tabakët e më pas edhe ushqimin, por vetëm aq sa mund të hahet. Ulen në radhë, një pas një, në tavolinën e përbashkët. Por askush nuk futë gjë në gojë, përderisa nuk ulet i fundit i grupit. E më pas vjen urdhri nga udhëheqësi i zgjedhur nga grupi: A keni të gjithë ushqim? Po! Mund të vazhdoni ushqimin!

Në fund të racionit, vjen ndonjëri nga togerët, e pyet: A keni mbaruar? Po! Jo, nuk e keni mbaruar. Keni lënë edhe disa trosha të bukës, – tërheqë ai vërejtjen.

Pasi përfundojnë të gjithë, ashtu me urdhër lihen tabakët në vendin e tyre. Po i mbeti merak dikujt edhe për ëmbëlsirë, atëherë togeri jep kohë shtesë, por shumë të kufizuar. “Ke 10 sekonda për ta ngrënë, 9, 8, ….1. Mjaft lëre! Ec tutje!”

fsk3
Edhe gjatë ushqimit ka rend e disiplinë

Pas gjysmë ore bukë, 20 minuta kohë shihen si të mjaftueshëm për rregullimin e shtretërve të mbetur. Secili kënd me dimensione të njëjta. Dy çarçafë, dy batanije, një jastëk. E 10 minuta para orës 8 vjen inspektimi i dhomës. Ushtari i parë që sheh eprorët, thërret: Gatitu! Të gjithë të tjerët ndalen në vend. Po lëvizën, apo qeshën, pa një pa dy, dënohen me 10 pompa. Po se patën në rregull secilin kënd, iu prishet i gjithë shtrati. Batanija hidhet në dyshemenë, ende të pa pastruar. As britma me zë të lartë nuk mungon. Po e pate mirë, asgjë. Thjesht, ke mësuar rregullin e përsosmërisë.

Kështu dita vazhdon me ushtrime të shumta, por edhe me ndëshkime me pompa, për lëvizje, futje të duarve në gjepa apo bisedë gjatë qëndrimit në rresht. Por, të gjitha këto dënime janë disiplinimin. Derisa e kupton që rregulli është rregull. Derisa e mëson se rregullat i bëjnë të tjerët dhe jo secili sipas qejfit të vet.

fsk4Pompat janë forma më e shpeshtë e ndëshkimit

E prej sprovave më të rënda, është ajo që njihet si “Thyerja”, që për ushtarakët zgjatë me orë të tëra, por grupi i ri nuk sfidohet më shumë se 30 minuta, dhe atë vetëm ata që kanë më shumë se 18 vjet. Këtu zbutet karakteri dhe krenaria jote, por edhe forcohen njëkohësisht. Gjithë kjo nëpërmjet urdhrave të shoqëruara me sharja e ofendime personale, nga më të ndryshmet.

E gjitha fillon kur të sfiduarit hasin në një fushë të hapur me nga 3-4 ushtar të heshtur. Me tu afruar atyre, ushtarët reagojnë egërsisht ndaj grupit. Plasin ofendimet e britmat, (sharjet praktikohen për ushtarët e vërtet). Po reagove, dënohesh me pompa, ose me urdhra si “shpejt vrapo e puthe atë pemën në dy anët, dhe eja më trego çfarë shije kishte” apo “ik merri 5 gurët me të vogël në atë pjesë”. Po i sjelle më shumë, krahas ofendimit për zemërgjerësinë, urdhërohesh t’i kthesh prapa.

Ky është mësimi për të mbijetuar keqtrajtimin si rob, pa u dorëzuar e tradhtuar vendin.

Rreptësi ka edhe në ligjërimet e eprorëve. Nuk ka “më fal” as “faleminderit” në ushtri, por ka vetëm zbatim të urdhrave. Njëri prej ushtarëve të rinj, ka për të treguar një histori personale. Por, Togeri e detyron të bëjë pompa. “Fol! Tani kemi kohë të të dëgjojmë tërë ditën”. E  lodhja fizike e shkurton muhabetin. Prandaj, në ushtri janë vetëm këto shprehje: “Zotëri, po zotëri!; “Zotëri, jo zotëri!” dhe “Zotëri, nuk kam arsye zotëri!”.

Në FSK, ushtarët janë me profesione të ndryshme. Kjo simbolizon një thikë zvicerane me shumë elemente. E udhëheqësit si lider obligohen t’i bashkojnë gjithë këto elemente, për 24 orë, 7 ditë në javë.

Ora 22:00 është koha e fikjes së dritave, dhe kur nuk bënë të dëgjohet asnjë zhurmë, përveç gërhitjes së gjumit.

Kështu, edhe ushtarët e rinj, i kryen ditët e tyre të ushtrimeve, gjatë të cilave u njoftuan shkurt edhe me përdorimin e armëve.

fsk5Armët: Të rinjtë u njohën me kallashnikovin

Në fund pyeten: “A u pëlqeu FSK-ja?” Përgjigjja është “Po!”. Njëri nga togerët e ka një porosi për djemtë e vajzat e reja. “Sa herë të keni gëzime për vendin tuaj, duhet të kujtoni për komandantët që dikur ishin, dhe që  dhanë jetën që ne të vazhdojmë tutje”.

Më pas rrëfen edhe një praktikë ushtarake: “Pas çdo aksioni apo gare të rëndësishme, ne dërgojmë ushtarët në nderime tek varret e dëshmorëve.”

Prandaj, nëpër mjetet transportuese, si shenjë frymëzimi nuk mungon muzika patriotike me tekstet e llojit: “…komandant, komandant, na u thinjën flokët, e ti po mbetesh i ri…”

klankosova.tv

lajme të ngjashme