Alarmon Koci: Kosovari pretendon se u kërcënua dhe pagoi 2 mijë euro në kufirin me Serbinë NULL NULL 05.07.2026 22:51 05.07.2026 22:51 Avokati Arianit Koci ka bërë publik rrëfimin e një qytetari nga Kosova, i cili pretendon se është përballur me kërcënime dhe zhvatje gjatë kalimit nëpër pikën kufitare Batrovci/Bajakovo në dalje nga Serbia. Sipas Kocit, qytetari me emrin Illir e ka kontaktuar të dielën në mbrëmje, ndërsa ai ka bërë të ditur se ia ka verifikuar identitetin dhe posedon dokumentet e tij. Megjithatë, avokati thekson se nuk ka mundur t’i verifikojë në mënyrë të pavarur pretendimet për mënyrën se si ka ndodhur ngjarja. “Sonte më kontaktoi Illiri, një qytetar nga Kosova, identitetin e të cilit e kam verifikuar dhe dokumentet e tij i kam në posedim”, shkroi Koci. Sipas pretendimeve të qytetarit, ai dhe familja e tij janë ndaluar rreth orës 16:30 gjatë daljes nga Serbia dhe janë dërguar në një hapësirë brenda zonës kufitare, ku janë kontrolluar nga disa policë. Ai pretendon se gjatë kontrollit janë ekzaminuar edhe telefonat e familjes dhe fotografitë e ruajtura në to. Gjithnjë sipas rrëfimit të tij, pasi në telefonat e fëmijëve janë gjetur fotografi me flamurin shqiptar dhe të UÇK-së, policët e kanë kërcënuar me arrestim dhe paraburgim në Beograd, duke i thënë se fëmijët do të mbeteshin vetëm nëse nuk paguante 2.000 euro. “Sipas rrëfimit të tij, nga frika, ua ka dhënë policëve 2.000 euro”, tha Koci. Avokati theksoi se pretendimet nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur, por shtoi se, nëse ato rezultojnë të jenë të sakta, bëhet fjalë për një rast tejet serioz. “Nëse këto pretendime janë të sakta, bëhet fjalë për një ngjarje jashtëzakonisht serioze”, u shpreh ai. Koci u bëri thirrje qytetarëve që pretendojnë se kanë përjetuar trajtim të ngjashëm gjatë kalimit nëpër Serbi ta kontaktojnë atë, stacionin më të afërt policor dhe Ambasadën e Kosovës në shtetin ku jetojnë. “Nëse rezulton se ka raste të tjera me elemente të njëjta, ato duhet të dokumentohen dhe të ndiqen përmes rrugëve ligjore”, përfundoi Koci. Një qytetar pretendon se policia serbe e dënoi me 600€ në kufi për fotot me emblemën e UÇK-së