Teatri i Kosovës udhëton në Itali NULL NULL 12.06.2015 19:18 12.06.2015 19:18 Një vizitë e rastësishme në Kosovë rreth tre vjet më parë do të kthehej në një terren të mirë për studiuesen italiane, e cila do të realizonte një film dokumentar mbi teatrin dhe kinemanë e re kosovare, nisur nga dramaturgu i suksesshëm Jeton Neziraj, të cilin e kishte njohur më herët nga veprat e tij. Filmi dokumentar “Teatri i ri në Kosovë” do të shfaqet premierë mbrëmjen e së dielës në teatrin “Rossi Aperto” në Piza të Italisë, ku do të ketë edhe një prezantim të tekstit teatral “Shkatërrimi i Kullës Eiffel” i Jeton Nezirajt, vepër që së bashku me “Luftërat në kohët e dashurisë” së po të njëjtit autor kanë korrur sukses së fundi edhe në Francë. Dramaturgu Neziraj, ish-drejtori i Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe drejtues i Qendrës “Multimedia” në Prishtinë, ka qenë në qendër të debateve kohët e fundit për vënien në skenë të tragjedisë “Romeo e Zhuljeta” me një trupë aktorësh shqiptarë e serbë. Zë i guximshëm i Teatrit të ri të Kosovës. Kështu e quan studiuesja italiane Monteverdi, dramaturgun Jeton Neziraj. “Shkatërrimi i kullës Eiffel” është edhe vepra e parë e Nezirajt e përkthyer në gjuhën italiane. “Në teatrin e Nezirajt, humori dhe komikja mund të bëhen armë të jashtëzakonshme për të shkatërruar vende të përbashkëta dhe bindje nacionaliste”, – është e mendimit Monteverdi. Dokumentari, i cili zgjat 26 minuta, vë në fokus punën e qendrës “Multimedia”, duke veçuar procesin e realizimit të shfaqjes “Shembja e Kullës Eiffel”, e regjisores Blerta Rrustem-Neziraj. Por, nëpërmjet intervistave që ka realizuar autorja, në dokumentar shpalosen të dhëna për teatrin në Kosovë qysh prej viteve ‘90 e deri sot.