Ndalimi i përdorimit të parasë publike në fushatë, prizrenasit nënshkruajnë peticionin NULL NULL 30.07.2026 13:41 30.07.2026 13:41 Pas Prishtinës, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka nisur sot në Prizren aktivitetin për mbledhjen e nënshkrimeve në kuadër të nismës legjislative qytetare për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Që nga orët e paradites, sipas IKD-së, aktiviteti është karakterizuar me interesim të madh të qytetarëve për t’u informuar rreth përmbajtjes së nismës dhe për ta mbështetur atë me nënshkrimet e tyre. Mbështetje për këtë nismë kanë dhënë edhe kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, drejtorë të drejtorive komunale, anëtarë të Kuvendit Komunal, si dhe qytetarë të shumtë të Prizrenit. Përmes kësaj nisme propozohet që moszbatimi i qëllimshëm i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të përcaktohet si vepër penale, si dhe të ndalohet përdorimi i parasë publike për përfitim elektoral gjatë periudhave zgjedhore dhe parazgjedhore, me qëllim të forcimit të sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së integritetit të procesit zgjedhor. Aktiviteti për mbledhjen e nënshkrimeve është duke vazhduar sot dhe do të vazhdojë edhe nesër, më 31 korrik 2026, nga ora 10:00 deri në ora 15:00, në Sheshin Shadërvan në Prizren. IKD fton qytetarët e Prizrenit që t’i bashkohen kësaj nisme, të informohen për përmbajtjen e saj dhe ta mbështesin me nënshkrimin e tyre. /Klankosova.tv