“Identifikimi i trupave kërkon kohë”, Kryeprokurori Isufaj viziton varrin masiv në Zubin Potok NULL NULL 30.07.2026 11:57 30.07.2026 11:57 Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, ka vizituar fshatin Kalludër të Zubin Potokut, ku të martën u zbulua një varr masiv që dyshohet se prehen trupat e 23 intelektualëve të Mitrovicës, të vrarë gjatë luftës në Kosovë. Në një prononcim para mediave, ai tha se gërmimet kanë nisur dhe mund të konstatohet se mbetjet mortore janë me origjinë njerëzore, raporton Klankosova.tv. “Gërmimet kanë nisur, dhe dua të shfrytëzoj rastin të falënderoj Policinë e Kosovës për një punë të madhe që është duke e bërë, njëkohësisht dua t’i falënderoj kolegët e mi të Prokurorisë Speciale dhe stafin. Sigurisht që falënderim shkon edhe për ekipin e Mjekësisë Ligjore që është duke bërë një punë shumë të mirë dhe profesionale, për të bërë identifikimin e mbetjeve mortore që deri tash është vërtetuar që janë me origjinë njerëzore”, tha Isufaj para mediave. Ai shtoi se gërmimi i varrit masiv mund të zgjasë dhe se nuk mund të bëhet e ditur ende se kur mund të përfundojë si proces. “Ajo që ka shumë rëndësi është se identifikimi merr kohë, dhe kërkon standard për të marrë dhe për të identifikuar përmes ADN-së secilin trup. Mirëpo këto mbetje nuk mund të tërhiqen aq lehtë, sepse duhet paraprakisht të konstruktohet trupi i njeriut, e pastaj ato të dërgohen në Mjekësi Ligjore për të vazhduar me proceset e tjera”, u shpreh kryeprokurori special. Isufaj bëri thirrje që lidhur me këtë rast të mos ketë shumë deklarime, pasi siç tha ai, mund të dëmtojë dhe devijojë procesin. /Klankosova.tv