Nga 6-10 muaj burg dhe 1-2 mijë € gjobë, si u dënuan sivjet shkaktarët e aksidenteve në rajonin e Pejës NULL NULL 28.07.2026 14:47 28.07.2026 14:47 Rrugët e Kosovës po marrin jetë njerëzish. Aksidentet e shumta, disa prej të cilave me fatalitet, javëve të fundit kanë nxitur debat publik mbi parandalimin e këtyre rasteve, si dhe dënimet e shqiptuara nga organet e rendit dhe drejtësisë. Vetëm në Rajonin e Pejës, konkretisht në Istog, për një javë kanë humbur jetën tre persona nga aksidentet. Rrezikimi i trafikut publik është vepër penale dhe sanksionohet me dënime varësisht nga dëmet dhe pasojat e shkaktuara gjatë aksidentit apo shkeljes së rregullave, raporton Klankosova.tv Dënimet e shqiptuara nga Gjykata Themelore në Pejë në shtatë muajt e fundit Aktgjykimi i fundit i publikuar nga kjo gjykatë, për këtë vepër penalë është i datës 11 qershor. E akuzuara Sh.H., është shpallur fajtore dhe dënuar me burgim në kohëzgjatje prej gjashtë muajsh, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse e akuzuara nuk kryen vepër tjetër penale brenda periudhës verifikuese prej një viti, pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi. E njëjta akuzohet se më 12 tetor 2025 e kishte shkaktuar aksidentin, ku e ka goditur një këmbësor, i cili kishte pësuar lëndime të rënda trupore. Ndaj saj, është shqiptuar edhe dënim plotësues për ndalim të drejtimit të automjetit, të të gjitha kategorive të cilat i posedon e akuzuar. Vendimi tjetër është ai i datës 1 prill, me të cilin gjykata ka dënuar të akuzuarin D.B., me gjashtë muaj burgim me kusht., për vetaksidentin e datës 17 mars 2024, në rrugën Istog-Pejë, që kishte përfunduar me lëndime të rënda trupore të një pasagjeri, transmeton Klankosova.tv Një tjetër dënim për rrezikim të trafikut publik është marrë më 8 maj të këtij viti, ndaj dy personave, K.D., dhe R.B. Ata janë shpallur fajtor për aksidentin e 15 qershorit 2025 në Klinë dhe janë dënuar secili veç e veç me burgim në kohëzgjatje prej 1 viti, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse brenda periudhës së verifikimit në kohëzgjatje prej 2 (dy) vite, nuk kryejnë vepër penale nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi. Për aksidentin e 30 nëntorit 2024 në qytetin e Pejës, Gjykata e këtij rajoni ka marrë vendim këtë vit, duke shpallur aktgjykim dënues. I.F., ndaj të cilit ishte ngritur aktakuza është dënuar me gjobë prej 1 mijë euro dhe si dënim plotësues, i është ndaluar drejtimi i veturës për 1 vit.. Po këtë vit, ky institucion ka nxjerrë aktgjykimin për vetaksidentin me lëndime të rënda, që kishte ndodhur e 6 tetorit 2024 në Pejë. I akuzuari B.T., më 2 shkurt të këtij viti, është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej gjashtë muajsh, i cili dënim NUK do të ekzekutohet nëse i akuzuari nuk kryen vepër tjetër penale brenda periudhës verifikuese prej një viti, raporton Klankosova.tv Aktgjykim dënues është shpallur edhe më 22 janar të këtij viti, për aksidentin me fatalitet që kishte ndodhur më 14 korrik 2025 në Deçan. Për këtë rast, është shpallur fajtor 20-vjeçari L.L., i cili akuzohej se ditën kritike, nga pakujdesia është përplasur me një veturë tjetër, ku për pasojë pasagjerja ka humbur jetën. Ai është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 10 muajsh. Në dënimin me burgim të akuzuarit i është llogaritur edhe koha e kaluar në ndalim dhe arrest shtëpiak nga data 14.04.2025 e deri me datë 14.05.2025. Ndaj tij është nxjerrë edhe dënim i plotësuar për ndalimin e veturave, të të gjitha kategorive që i ka poseduar i akuzuari. Në janar të këtij viti kjo gjykatë, konkretisht dega në Deçan ka marrë vendimin edhe për aksidentin me lëndime të rënda, të ndodhur më 14 shtator 2023. E akuzuara A.K., është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej gjashtë muajsh, i cili është vendosur që mos ekzekutohet nëse e njëjtë nuk kryen vepër tjetër penale brenda periudhës verifikuese prej një viti. Edhe ndaj saj, është vendosur për dënim plotësues, për ndalimin e drejtimit të automjetit për 1 vit. Edhe më 28 janar, është shpallur një aktgjykim dënues ndaj I.M., i cili është shpallur fajtor për aksidentin me lëndime të rënda të para dy viteve në Pejë. Ai është dënuar po ashtu me 6 muaj burgim, si dhe me dënim plotësues, për ndalimin e drejtimit të veturës për 2 vjet. Vendim nga Gjykata Themelore në Pejë është marrë edhe ndaj A.B., i cili më 14 janar të këtij viti është shpallur fajtor për aksidentin e 3 janarit 2024, në Klinë, ku me veturë e kishte goditur një automjet tjetër dhe për pasojë një person ka pësuar lëndime të rënda. I njëjti është dënuar me 6 muaj burgim, që i është zëvendësuar me 2 mijë euro gjobë. /Klankosova.tv