Iu ndryshuan vitet e prodhimit? Pesë vetura sekuestrohen pas dyshimeve për dokumente të falsifikuara NULL NULL 28.07.2026 11:09 28.07.2026 11:09 Foto ilustruese Prokuroria Themelore në Mitrovicë, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës dhe Policinë e Kosovës – Njësinë për Hetimin e Autokrimeve në Mitrovicë-Jug, ka realizuar kontrolle në disa lokacione lidhur me dyshimet për falsifikim të dokumenteve gjatë procedurës së importimit dhe zhdoganimit të automjeteve nga Koreja e Jugut. Sipas prokurorisë, kontrollet janë kryer në shtëpinë e të pandehurve në Vushtrri, me qëllim të gjetjes dhe sigurimit të provave materiale që mund të ndihmojnë në procedurën penale. Dyshimet lidhen me përdorimin e dokumenteve të falsifikuara publike, konkretisht librezave koreane të automjeteve, ku pretendohet se janë manipuluar të dhënat për vitin e regjistrimit të parë të veturave. Sipas hetimeve fillestare, në dokumente dyshohet se është ndryshuar viti i regjistrimit të parë nga 2015 në 2016, me qëllim që automjetet të paraqiteshin si më të reja se 10 vjet dhe të mundësohej importimi i tyre në Kosovë. Prokuroria ka bërë të ditur se dokumentet e dyshuara të falsifikuara janë përdorur gjatë procedurës së importimit dhe zhdoganimit të pesë automjeteve, për të cilat janë lëshuar deklarata doganore me të dhëna të pasakta. Pesë veturat, të cilave dyshohet se u janë falsifikuar dokumentet, janë sekuestruar nga autoritetet, transmeton Klankosova.tv. Rasti po hetohet nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve”, ndërsa Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka njoftuar se, në koordinim me institucionet relevante, do të vazhdojë veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave.