Deklarata fashiste e ministres serbe, Behluli: Në Preshevë nxiti nervozizëm (VIDEO) NULL NULL 25.07.2026 18:13 25.07.2026 18:13 Deklarata fashiste e ministres serbe, Behluli: Në Luginën e Preshevës nxiti nervozizëm (VIDEO) Gazetarja Ardita Behluli ka thënë se deklarata e ministres serbe për Vetëqeverisje Lokale, Snezhana Paunoviq, ka shkaktuar reagime të forta në Luginën e Preshevës, duke nxitur, sipas saj, nervozizëm dhe revoltë te shqiptarët që jetojnë atje. Në Info Magazine në Klan Kosova, Behluli tha se deklarata e ministres nuk i shërben as Serbisë dhe as vlerave demokratike, duke e cilësuar atë si një mesazh që nxit ndarje dhe urrejtje ndaj komunitetit shqiptar. “Normalisht që kanë nxitur te shqiptarët e Luginës së Preshevës një nervozizëm dhe revoltë. Deklarata të tilla nuk i shërbejnë as Serbisë, as kohës demokratike në të cilën jetojmë. Fatkeqësisht, edhe pas më shumë se dy dekadash nga lufta, dëgjojmë deklarata nga zyrtarë të lartë që nxisin ndarësi dhe urrejtje ndaj komunitetit shqiptar”, u shpreh Behluli. Sipas saj, i gjithë spektri politik shqiptar në Luginën e Preshevës ka reaguar njëzëri ndaj kësaj deklarate. Ajo bëri të ditur se është iniciuar edhe një peticion, ndërsa deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, së bashku me deputetë të tjerë të pakicave, ka dorëzuar një kërkesë zyrtare për shkarkimin e ministres. Megjithatë, Behluli shtoi se deri më tani autoritetet serbe nuk kanë ndërmarrë masa konkrete ndaj ministres, përveç distancimit publik të presidentit Alleksandar Vuçiq dhe kryetares së Kuvendit të Serbisë, të cilët kanë deklaruar se qëndrimet e saj nuk përfaqësojnë pozicionin zyrtar të shtetit serb.