KPK merr vendim për pesë prokurorët serbë, refuzon kthimin e tyre në detyrë NULL NULL 20.07.2026 12:07 20.07.2026 12:07 Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) në mbledhjen e së hënës, vendosi për refuzimin e kërkesave për tërheqjen e dorëheqjeve të pesë prokurorëve dhe 15 anëtarëve të stafit mbështetës të komunitetit serb në Prokurorinë e Mitrovicës. KPK-ja dërgoi tek ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, emrat e pesë prokurorëve për lirim nga detyra. Po ashtu, në këtë takim, Këshilli shfuqizoi vendimin për pezullimin e pagave për prokurorët dhe stafin mbështetës serb. Për refuzimin e tërheqjes së dorëheqjeve të ofruara nga prokurorët dhe stafi mbështetës serb, votuan katër anëtarët: Dardan Vuniqi, Visar Krasniqi, Elza Bajrami-Kastrati dhe Arlinda Muqa. Ndërkaq kundër votuan: kryesuesi Arian Gashi, Kryeprokurori i Shtetit- Zejnullah Gahsi dhe anëtari Milot Krasniqi. Deri te ky vendim erdhi me propozim të zëvendëskryesuesit të KPK-së, Dardan Vuniqi, raporton Betimi për Drejtësi, përcjell Klankosova.tv. Kryesuesi Arian Gashi propozoi që për këtë çështje të diskutohet në takimet e radhës, me arsyetimin se duhet konsultim me Këshillin Gjyqësor. Ai shtoi se po ashtu duhet të përgatiten edhe materialet. Propozimi i tij u përkrah nga Kryeprokurori i Shtetit, Zejnullah Gashi dhe anëtari Milot Krasniqi. Në anën tjetër, anëtarja Arlinda Muqa tha se kthimi i prokurorëve dhe stafit mbështetës serb, mund të ndodh vetëm nëse i nënshtrohen procedurave të rekrutimit. Propozoi që të mbështetet propozimi i Vuniqit që të refuzohen tërheqjet e dorëheqjeve dhe të dërgohen te Presidentja për lirim nga detyra. Gjithashtu, edhe anëtarja Elza Bajrami-Kastrati tha se nuk vlerëson se ka dicka për t’u diskutuar, duke shtuar se secili dha mendimin e vet, andaj propozoi që të vazhdohet me votim. Propozimin e Vuniqit e përkrahu edhe anëtari Visar Krasniqi. Më pas, me katër vota për, u miratua propozimi që të refuzohen tërheqjet e dorëheqjeve të pesë prokurorëve dhe stafit mbështetës, si dhe të dërgohen tek Presidentja për lirim nga detyra. Po ashtu, u shfuqizua vendimi për pezullimin e pagave të tyre, vendim i cili ishte marrë nga KPK-ja kur të njëjtit kishin ofruar dorëheqjet. Prokurorë dhe staf mbështetës serb nga Prokuroria në Mitrovicë tërheqin dorëheqjet e tyre