Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

“Spastrimi etnik”, Elezi: Dëshmi për ndërkombëtarët se Serbia është e rrezikshme (VIDEO)

NULL NULL
17.07.2026 14:26

Deklarata e ministres së Administratës Publike në Serbi, Snezhana Paunoviq ka nxitur reagime të forta në rajon dhe në Bashkimin Evropian.

Opozita serbe ka kërkuar shkarkimin e saj, kurse gazetari Arientin Abdyli, në emisionin “Kosova Today” në Klan Kosova, tha se shumica e deputetëve nga partitë që në letër janë pro evropiane dhe kundër politikave të Millosheviqit, nuk e kanë nënshkruar këtë kërkesë.

“59 deputetë e kanë nënshkruar deri tash kërkesën për t’u shkarkuar ministrja dhe atë e kanë nënshkruar deputetët e partisë që është liberale dhe pastaj partia e deputetit shqiptar, por çka është më e rëndësishme, Partia Demokratike që me dokumente dhe me vulë është vazhdimësi e partisë së Gjingjiqit, nuk e ka nënshkru. Nuk e ka nënshkru as Partia e Lidhjes së hungarezëve të Vojvodinës, as Partia Socialdemokrate e Serbisë, të gjitha këto janë parti që në letër janë pro-evropiane kundër Millosheviqit. Kjo tregon që ‘Serbia evropiane’, që e dinë realitetin dhe i dinë faktet, është shumë e vogël”, tha ai.

Në anën tjetër, Bedri Elezi tha se deklarata të tilla i dëshmojnë faktorit ndërkombëtarë atë që Kosova po dështon ta bëjë vetë, se Serbia vazhdon të mbetet rrezik për rajonin.

“Sigurisht që deklarata e ministres serbe do të trajtohet nga pala amerikane, kjo deklaratë e ministres i ka bërë mirë mund të themi atyre informacioneve, është e dobishme për palën amerikane për të konstatuar se Beogradi zyrtar dhe politika e saj agresore kundrejt shteteve, dhe në rastin konkret shtetit fqinj siç është Kosova, sepse edhe njëherë shpërfaq realitetin e politikanëve serbë ndaj shqiptarëve dhe padyshim që ShBA-ja do t’i përpunojë këto zhvillime. Kemi edhe një veprim të opozitës serbe ku kërkojnë largimin e ministres, kishte edhe një deklarim të kryetares së Kuvendit të Serbisë e cila u distancua nga qëndrimet e ministres. I bëri mirë edhe politikës aktuale sepse dhe ato vetë po e dëshmojnë, pavarësisht se ne jemi të dobët, për ta bindur faktorin ndërkombëtar se Serbia është e rrezikshme dhe mbetet rrezik për rajonin”, tha ai.

Paunoviq kishte deklaruar se po të ishte në vend të kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq, do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën në vitin 1998.

Pas kësaj deklarate, Kosova e ka shpallur ministren serbe non-grata, teksa kjo deklaratë ka nxitur reagim edhe në Tiranë dhe Bashkimin Evropian.

Deponohet kallëzim penal ndaj ministres serbe pas deklaratave skandaloze

lajme të ngjashme