Çmenduria si normalitet i ri 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 16.07.2026 20:44 16.07.2026 20:44 E dimë të gjithë rëndësinë e Kutisë së Zezë në një aeroplan. Në rastin më të keq, të aksidentit të madh, që ka si pasojë rrëzimin e tij dhe vdekjen u udhëtarëve, kjo Kuti na e dëfton se çfarë ndodhi në të vërtetë me këtë aeroplan dhe cilat ishin shkaqet e një tragjedie të tillë. Natyrisht, gjetjet nga kjo Kuti do të duhej të shërbenin në të ardhmen për parandalimin e përsëritjes së këtyre ngjarjeve fatale. Kështu është në aviacion. Por, po del që kështu mund të jetë edhe në politikë. Së paku, në këtë politikën zyrtare të Serbisë. Një deklaratë e një ministre të kësaj Qeverie të Serbisë, dhënë në një televizion të Beogradit, po sillet si një gogol rreth e përqark rajonit (nga pak edhe Brukselit). Kjo ministre mbathi ‘këpucët’ (si thuhet), të Sllobodan Milosheviqit, u kthye në vitin 1998 dhe pohoi që ajo do të bënte Spastrimit etnik të Kosovës dhe në këtë mënyrë do ta zgjidhte një herë e mirë çështjen e Kosovës. Kjo ministre duket se ka harruar fare (me qëllim) që regjimi i Millosheviqit e ka bërë këtë (spastrimin etnik) në vitet 1998/ 1999, në atë periudhën e luftës në Kosovë, madje, duke dëbuar pothuaj një milion shqiptarë nga Kosova, në të katër anën e rajonit dhe madje, edhe të Botës. Ky ishte ’opsioni final’ i pushtetit të asokohshëm të Serbisë për Kosovën dhe shqiptarët. Ai dështoi sepse kauza shqiptare ishte e drejtë, para se të gjithash, dhe sepse me ne, në atë kohë, ishin Amerika dhe Evropa, mbi të gjitha. Okupimi i Serbisë mbi Kosovën përfundoi në histori, vetë Millosheviqi u dërgua në Hagë, në Tribunalin për krime lufte (ICTY), dhe për më shumë, u duk që Serbia si shtet, si politikë, si shoqëri, ka nisur të mëkëmbet dhe këndellet, dhe që e tëra kjo pjesë e Evropës do të bëhet pjesë politike dhe qytetëruese e Perëndimit, brenda një periudhe afatmesme kohore (kujto Samitin e Selanikut të BE-së të vitit 2003). Sa naivë kishim qenë të gjithë në ato vite. Deklarata e marrë e një ministre në Qeverinë e Serbisë, ka qenë mbase rasti më i mirë i mundshëm, së paku në këto rrethana, që Beogradi zyrtar të dëshmohet që e ka njëmend synimin e tij për tu bërë shtet anëtar i BE-së, dhe që ndëshkon çdo gabim të madh të një përfaqësuesi të vet në instancat më të larta të pushtetit. Shkarkimi imediat i saj do të ishte shenjë e qartë që ka ende racionalitet në pushtetin qendror të Serbisë, dhe që loja imagjinare me kokat dhe jetët e shqiptarëve në Kosovë, është shuplakë në fytyrën e një pushteti dhe që për këtë shkak, ajo ministre duhet të shkojë në shtëpi. Por jo që nuk ndodhi ky shkarkim i cili do të ishte ai akti fare minimalist në këtë rast, po ngjau e kundërta. Zëvendëskryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, e pa të arsyeshme ta mbrojë ministren që ndryshe vjen nga partia e tij (SPS), dhe t’i sulet atyre opozitarëve në Serbi që e panë të udhës ta vënë në shënjestër këtë qëndrim të një ministreje në Qeveri. Kaq ishte kjo punë. Në të vërtetë, ajo çfarë tha një ministre është realisht, reflektim autentik dhe i saktë i politikës zyrtare në Serbi. Nuk është kjo as hera e parë dhe as e fundit që ky vlerësim do të mbështetet nga qëndrimet e këtilla publike. Ato nuk janë aksidente. Ato konfirmojnë realitetin ku çmenduria politike është bërë gjendje normale. Këto janë gjetjet kryesore të Kutisë së Zezë në këtë rast. Synimi i dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, siç dihet tash e 15 vjet (kohëzgjatja e këtij dialogu pa përmbylljen e tij flet vet për veti, apo jo), është normalizimi i marrëdhënieve në mes këtyre dy shteteve. Ku kemi mbërri sot është që në politikën zyrtare të Serbisë, është normalizuar marrëzia. Kaq.