Deponohet kallëzim penal ndaj ministres serbe pas deklaratave skandaloze NULL NULL 16.07.2026 15:26 16.07.2026 15:26 Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka njoftuar se ka deponuar kallëzim penal ndaj ministres serbe, Snezana Paunoviq, pas deklaratave skandaloze të saj për “spastrimin etnik”. Gërvalla ka theksuar se Republika e Kosovës nuk hesht dhe asnjëherë nuk përkulet para gjuhës së urrejtjes, thirrjes e nxitjes për përçarje dhe mosdurimit. Ajo ka thënë se nuk ka hapësirë për glorifikimin e spastrimit etnik, relativizimin e gjenocidit e krimeve monstruoze serbe dhe përhapjen e narrativave që synojnë cenimin e paqes, sigurisë dhe bashkëjetesës ndëretnike si dhe nxitjen e urrejtjes. Deklaratat publike që synojnë të justifikojnë spastrimin etnik dhe dëbimin e një populli, sipas saj, nuk mund të trajtohen si retorikë e zakonshme politike. “Ato mbajnë pasoja të rënda historike, juridike e njerëzore.”, ka shkruar Gërvalla. Sipas saj, ministrja serbe, trashëgimtare e denjë e Millosheviçit, vazhdon narrativen e papranueshme, e cila është e dënueshme nga secili rregull vendor dhe ndërkombëtar. “Për këtë arsye, në cilësinë e Ministres së Drejtësisë kërkova nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit që, në kuadër të kompetencave ligjore, të ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore dhe të procedojë tutje me aktakuzë dhe kërkesë për shqiptimin e dënimit nga Gjykata kompetente. Serbia ende nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera ndaj popullit tonë gjatë luftës në Kosovë. Mbi 10,000 civilë shqiptarë humbën jetën, 1,565 persona ende figurojnë të zhdukur, afër një milion qytetarë u dëbuan me dhunë, rreth 20,000 gra, burra e fëmijë u përdhunuan dhe mbi 100,000 shtëpi u shkatërruan dhe u dëmtuan rëndë. Këto ishin pasoja të një fushate sistematike të gjenocidit e spastrimit etnik të kryer nga regjimi serb në Kosovë, të shoqëruar me vrasje, dëbime, dhunë seksuale dhe trajtim çnjerëzor.”, ka shkruar ndër të tjerash ajo. /Klankosova.tv