Oda Ekonomike Amerikane thirrje institucioneve të reja: Jepini përparësi gazit amerikan NULL NULL 13.07.2026 10:01 13.07.2026 10:01 Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë u ka bërë thirrje bartësve të mandatit të ri institucional që ta trajtojnë me prioritet përfshirjen e Kosovës në infrastrukturën rajonale të gazit të lëngshëm natyror amerikan (LNG), duke e konsideruar atë pjesë të rëndësishme të politikës së ardhshme energjetike të vendit. Përmes një reagimi publik, Oda Amerikane vlerëson se Kosova ndodhet në një moment vendimtar për të ardhmen e sektorit energjetik dhe se vendimet që do të merren në periudhën e ardhshme do të ndikojnë drejtpërdrejt në sigurinë energjetike, zhvillimin ekonomik dhe konkurrueshmërinë e vendit. Sipas Odës Amerikane, diskutimi për orientimin e politikave energjetike nuk duhet të kufizohet vetëm në koston fillestare të investimeve apo në opsionet që janë prezantuar deri më tani. “Kosova gjendet në një moment vendimtar për të ardhmen e sektorit të saj energjetik. Vendimet që do të merren gjatë muajve dhe viteve në vijim do të përcaktojnë jo vetëm mënyrën e prodhimit të energjisë elektrike, por edhe nivelin e sigurisë energjetike, konkurrueshmërinë e ekonomisë dhe aftësinë e vendit për të përmbushur nevojat e një ekonomie në zhvillim”, thuhet në reagim transmeton Klankosova.tv. Oda thekson se për një vend që vazhdon të mbështetet në kapacitete të vjetruara të prodhimit të energjisë dhe në importe të konsiderueshme të energjisë elektrike, koha për ndërtimin e kapaciteteve të reja është një faktor me rëndësi strategjike. “Çdo vit vonesë në krijimin e kapaciteteve të reja vendore nënkupton ekspozim të vazhdueshëm ndaj paqëndrueshmërisë së tregjeve rajonale, kostove të larta të importit dhe pasigurisë së furnizimit”, theksohet në deklaratë. Sipas Odës Amerikane, institucionet e reja kanë mundësinë të hartojnë një politikë energjetike të mbështetur në analiza profesionale dhe në interesin afatgjatë të Kosovës. Në këtë drejtim, Oda u bën thirrje autoriteteve që qasjen në infrastrukturën rajonale të LNG-së amerikane ta trajtojnë si prioritet strategjik. “Oda Amerikane u bën thirrje atyre që qasjen në infrastrukturën rajonale të LNG-së amerikane ta trajtojnë me prioritet dhe ta vlerësojnë këtë mundësi si një investim strategjik në sigurinë energjetike, konkurrueshmërinë ekonomike dhe të ardhmen e Kosovës”, përfundon reagimi.